Një sfidant i vështirë - kandidati socialdemokrat për kancelar Steinbrück
30 Shtator 2012Vetëm momenti ishte befasues. Frank-Walter Steinmeier, kreu i grupit parlamentar, nuk donte, kryetari i partisë Sigmar Gabriel nuk mundte. Kreu i SPD vuan nga privimi kronik i simpatisë prej pjesëve të ndryshme të popullsisë. Kështu u përgatit terreni për njeriun, i cili është aktualisht vetëm deputet i thjeshtë: Peer Steinbrück, një mjeshtër i retorikës, sulmues, një ekspert i politikave ekonomike dhe financiare. Njeriu për krizën, si të thuash. Kështu Angela Merkel ka tani rivalin më të rrezikshëm. Fushata do të jetë e gjatë dhe premton të mos jetë e mërzitshme.
Jo gjithmonë diplomat
Steinbrück e ka ngritur imazhin e tij nga "Peer kush?" në "Peer-i di më shumë". Gjermanoveriori me gjuhën e mprehtë është një politikan jo tipik. Ai vjen nga administrata dhe ka mbajtur për vite të tëra poste drejtuese. Toni i tij komandues ka shkaktuar shpesh shqetësim në SPD me prirje kolegjiale. Kritikët brenda partisë së tij frikësohen nga një përsëritje e politikës "basta të Shrëderit". Atij i mungon era e stallës së shokëve të partisë, ai nuk është dikush, që kërkon patjetër mesin e ngrohtë të partisë. Steinbrück flet qartë, ndonjëherë provokues, dhe rrallë me diplomaci. Të majtët e partisë së tij ai i ka cilësuar një herë si qaramanë. Ndryshe nga politikanët e tjerë ai thotë atë, që mendon. Për shumë në partinë me traditë gati 150 vjeçare Steinbrück është shumë i ngritur, shumë qytetar shumë intelektual. Por ai është i respektuar, jo patjetër nga majta. Ata e konsiderojnë atë si një liberal, që orientohet shumë nga tregu.
Në fakt Steinbrück duhet të bëjë dy fushata zgjedhore. Së pari është partia e tij, që duhet të fitohet nga kandidati. Votimi i kongresit të partisë nuk është bërë ende. Në përqindjen që do t'i jepet shihet, se sa seriozisht e kanë shokët, me Steinbrückun në krye kundër Merkelit. Një tipar i veçantë i kandidaturës së Steinbrück-ut qëndron në faktin se njeriu i trojkës (Gabriel, Steinmeier, Steinbrück) tani do të bëjë fushatë së bashku me kryetarin e partisë dhe kryetarin e grupit parlamentar. I vetmuari Steinbrück duhet të provojë vetën si lojtar ekipi. Ai duhet të balancojë midis përkrahësve të axhendës dhe të majtëve, nëse dëshiron të bëjë për vete shtresat e elektoratit të SPD-së.
Dallime në stil
Në çështjen kryesore të fushatës zgjedhore - krizën e euros - ka vetëm dallime të vogla në mes Merkelit dhe Steinbrückut. Të dy janë të përgatitur për menaxhimin e krizave, madje Steinbrück mund të korrte edhe duartrokitje dhe vota nga kampi konservator. Pyetja do të jetë, se si do të paraqitet tema e madhe në aktivitetet e fushatës. Steinbrück, që ka punuar si shef administrate, ka pak përvojë në fushatën e rrugës. Ai do të duket shpesh indiferent, i ftohtë, madje edhe arrogant në shtrëngimin e duarve në sheshe. Momenti i tij është, kur qëndron para mikrofonit. Ai mund të debatojë, të argëtojë publikun, madje t'i bëjë për të qeshur. Këto nuk janë patjetër anët e forta të kancelares.
Dallimin në fund do ta bëjë stili. Merkel me mënyrën e saj të rezervuar prej gruaje shteti arrin akoma mesin e shoqërisë. Steinbrück mund të bëjë pikë edhe në kampin e Merkelit me kompetencën e tij profesionale. Sidomos kur diferencat politike midis të dyve janë margjinale. Sikur ai pas një viti ta rrezikojë seriozisht kancelaren në kutitë e votimit, ngrihet çështja e koalicionit. SPD ka vendosur tashmë dhe do të hyjë në aleancë me të Gjelbrit. Me këtë partner Steinbrück si kryeministër në Nordrhein-Westfalen ka kërkuar gjithmonë sherr. E panjohura më e madhe quhet megjithatë konjunkturë. Nëse ajo, siç është parashikuar, dobësohet, shkon në favor të Steinbrückut, sepse koalicioni zi-verdhë prej kohësh grindet më shumë me vetveten, sesa me kundërshtarin politik. Sido që të jetë, para nesh ndodhet një fushatë e gjatë dhe interesante. Por korrigjim të kursit politik nuk do të ketë brenda vitit. Programet janë të ngjashme, por kontrahentët shumë të ndryshëm.