Njeri i nderit - sipas kuptimit siçilian
12 Qershor 2013E kupton kur je pranë studiove të Pino Maniaci-t: nuk është eskorta e policisë ushtarake që ka parkuar në mënyrë diskrete aty pranë, është era e tymit të cigareve. Biznesmeni i kthyer në reporter dhe person kyç të televizionit që lufton krimin, pi tre paketa në dikë, "ndonjëherë katër", pranon me nënqeshje.
"Unë e dua atdheun tim dhe ky vend ka nevojë për gazetarë misionarë: gazetarë të cilët e konsiderojnë punën një mision të vërtetë", thotë Maniaci, i cili nuk ka pasur përvojë në gazetari para se të niste programin e tij të përditshëm informativ, dyorësh, kundër mafias. "Unë doja të jepja lajme të besueshme, autentike. Kjo do të thotë t'i tregosh gjërat si janë."
Në 1999, Maniaci, dikur pronar i një firme të vogël ndërtimesh, bleu një televizion lokal në Partinico, një qytezë e vogël rreth 30 kilometra larg kryeqendrës së Siçilisë, Palermo. Kjo e ndryshoi jetën e tij në mënyrë radikale dhe përgjithnjë. Një vit më vonë, "Telejato" u bë i pari dhe i vetmi kanal televiziv anti-mafia në Siçili dhe Maniaci personi kryesor i padëshiruar i mafias lokale.
Maniaci është një mjeshtër i shakave edhe me kundërshtarët e tij. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet nga raportimi mbi mafian, sepse është përballur me shpërthime gomash, prerje të frenave të veturës, djegie të makinës dhe qëllime të makinës me plumba. Ai ka marrë kaq shumë letra kërcënuese, sa që pas një kohe ka vendosur të mos i lexojë më. Maniaci e ka përjetuar edhe një sulm ndaj gruas së tij, të cilës i kanë thyer katër brinj në anën e majtë, i kanë thyer një dhëmbë dhe e kanë qëlluar në fëtyrë.
"Kur isha djalë i ri, babai më mësoi të lidhë kravatën me dy nyje. Ata u përpoqën të më mbysnin gjatë një sulmi, duke e tërhequr kravatën nga të dyja anët por nyja më shpëtoi, pra më shpëtoi babai...", thotë ai.
Në një mision
Pjesë e punës që bën "Telejato" është dalja në vendin e ngjarjes, me të bijën si gazetare dhe të birin si kameraman. Ai shkon në vend të ngjarjes dhe nuk mbështetet tek agjencitë e lajmeve. "Nëse diçka ndodh në zonën tonë, ne jemi gjithmonë aty, duke përfshirë edhe arrestimet e mafias", thotë ai. "Ne jemi gjithmonë të parët që arrijnë në vendin e ngjarjes."
Ekipi i tij i ka përcjellë me dhjetëra arrestime. Ai ka një bashkëpunim të ngushtë me "Catturandi di Palermo", një ekip special i policisë i cili merret me luftimin e kriminalitetit. "Telejato" i ka bërë publik edhe emrat e plotë të mafiozëve të arrestuar, për dallim prej gazetarëve të tjerë, të cilët i kanë bërë publike vetëm inicialet.
"Ata e konsiderojnë veten burra të ndershëm, ndërsa për ne çnderimi i tyre është një çështje nderi," thotë Maniaci. Guximi i tij ka ndikuar edhe në popullaritetin e madh të "Telejato" dhe, siç thotë ai, 90 % e pronarëve të dyqaneve më nuk paguajnë reket për mbrojtje. Ai ka arritur në këtë mënyrë të krijojë një lloj marrëdhënie të fuqishme me shikuesit.
"Në Partinico ka 32.000 banorë, që do të thotë se ne kemi 32.000 burime të informacioneve," thotë Maniaci. "Kur një makine i vihet zjarri, ata fillimisht më thërrasin mua e pastaj zjrarrëfikësit." Influenca pozitieve e programit të tij i ka frymëzuar edhe të tjerët. "Gazetaria e mirë ka një ndikim të fortë në një vend: Ajo i drejton dhe i korrigjon gjërat," thotë ai, duke cituar fjalët e Giuseppe Fava, një gazetari siçilian të vrarë nga mafia në vitin 1984.
Optimizmi i Maniacit
Çuditërisht, edhe vet mafiozët janë shikues të pasionuar të "Telejato". Që nga futja e televizionit dixhital, ai transmeton edhe në të gjithë rajonin e Palermos. Maniaci thotë se programin e tij e shikojnë edhe të burgosurit në burgun e qytetit. Disa vite më parë, stacioni e ka emetuar një intervistë nga qyteti i Corleones, me vëllaun e njërit prej bosëve më të mëdhenj të mafias. Ai hapur deklaroi se e shikonte "Telejato".
Sot, Maniaci është i bindur se në vendin e tij gjërat po përmirësohen. Një sasi e konsiderueshme e aktivitetit mafioz është zhvendosur në veri të Italisë. Ai beson se në Siçili është krijuar një lloj rrezistence.
Ndërkohë janë krijuar edhe shumë shoqata lokale anti-mafia dhe një shkollë e lirë për gazetarë të rinj. Vitin e kaluar kanë marrë pjesë në këtë shkollë 50 studentë, ndërsa këtë vit parashikohet të vijnë më shumë se 100. Maniaci mendon se në Siçili është kuptuar se mafia nuk është e pathyeshme dhe se ditët e saj janë të numëruara.
"Ka rreth 5.000 mafiozë, por ne jemi pesë milionë, që do të thotë një kundër 1000. Ne do t'i mundim ata", pohon Maniaci.