1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një ditë më pas: Angela Merkel dhe SPD

3 Korrik 2018

Kolapsi i qeverisë u shmang, po tani? CDU-ja e Angela Merkelit dhe CSU-ja e lanë mënjanë grindjen për politikën e azilit, hë për hë të paktën. Por ekziston edhe një partner tjetër i koalicionit.

https://p.dw.com/p/30km9
Deutschland Berlin Andrea Nahles, SPD-Vorsitzende zu Unionskrise
Fotografi: picture-alliance/dpa/B.v. Jutrczenka

Me javë të tëra socialdemokratët, njëri nga tri partnerët e koalicionit të qeverisë gjermane qëndruan të habitur dhe të shokuar, duke parë si e copëtonin njëri-tjetrin hapur dy partnerët e tjerë të koalicionit. Por tani Angela Merkeli (CDU) dhe partia bavareze simotër CSU u pajtuan për një kompromis në politikën e azilit dhe të refugjatëve. Dhe papritur të gjithë i hedhin sytë nga SPD.

"Çeqe të pambuluara"

SPD ende duhet të shpallë a është dakord me idenë për të ngritur qendra tranziti në kufirin gjermano-austriak, në të cilat të mund të mblidhen azilkërkuesit që janë regjistruar diku tjetër në BE. Dhe kështu, Andrea Nahles, kryetarja e SPD, doli në mëngjes në Bundestag, atje ku mblidhen grupet parlamentare, dhe tha: "CDU dhe CSU e dëmtuan javët e fundit reciprokisht njëra-tjetrën, besimi te demokracia jonë u dëmtua. Që ato vendosën t'i kthehen punës përmbajtësore, ky është sukses i madh." Po a do të bjerë dakord SPD me kompromisin e gjetur? "Kemi një sërë çështjesh të pasqaruara". Dhe pastaj Nahles flet për "çeqe të pambuluara". Disa nga marrëveshjet mund të zbatohen vetëm së bashku me Austrinë dhe Italinë, dhe për këtë ende nuk ka gatishmëri prej tyre.

"Merkelit i bënë shantazh, e pabesueshme"

Dhe në përgjithësi: si ishte ajo, kur ministri i Brendshëm Horst Seehofer i CSU-së i vuri ultimatume kancelares dhe madje kërcënoi edhe me dorëheqje, po të mos bashkohej ajo me vijën e tij të ashpër? Ish-kryetari i SPD-së dhe ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel, që tani është deputet i thjeshtë, e përmbledh kështu atmosferën në SPD: "Seehoferi i bëri qeverisë, i bëri Merkelit, shantazh. Kjo është një ngjarje e pabesueshme". Shenja plagësh do të mbeten te aleanca qeveritare, kjo është e qartë. Edhe nëse në përgjithësi, përshtypja mbizotëruese është që edhe te zgjedhësit besnikë të SPD, vërshimi i migrantëve shihet ndërkohë me skepticizëm të madh. Pritet që në fund socialdemokratët të japin aprovimin e tyre për këto vendime, qoftë për të penguar zgjedhje të reja, sepse mbështetja për SPD aktualisht është te 16 dhe 18 përqind, edhe më e ulët se në zgjedhjet e rënda parlamentare vjeshtën e kaluar. Në mbrëmje do të mblidhet komisioni i koalicionit, pra përfaqësuesit kryesorë të CDU, CSU dhe SPD, për të folur për të gjitha këto. Berlini politik ka sërish një mbrëmje të gjatë dhe ndoshta edhe një natë të gjatë para vetes.

 

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau