Një histori suksesi për integrimin e romëve
23 Mars 2013Rrugës për në fshat surprizohesh: Në hyrje të qytetit tabela mban emrin e vendit të shkruar jo vetëm në gjuhën rumune, por edhe në gjuhën gjermane. Vendi i quajtur Probstdorf ka qenë dikur një vendbanim që është themeluar nga gjermanët e ardhur. Sot në këtë vend jetojnë vetëm disa rumuno-gjermanë. Shumica e tyre janë kthyer në Gjermani pas përfundimit të diktaturës komuniste (1989). Sipas disa vlerësimeve sot rreth 85% e banorëve të fshatit janë romë, që banojnë në shtëpi të vjetra të rumuno-gjermanëve të emigruar. Shifrat rreth numrit të saktë të tyre nuk janë të njohura, sepse në regjistrimet e fundit të popullsisë shumë prej romëve janë deklaruar si rumunë, pasi ata kanë shumë frikë se mund të bien viktimë e diskriminimit.
Në rrugën e paasfaltuar kalon një karrocë me kalë, e ngarkuar me sanë, ushqim ky për kuajt e princit trashëgimtar britanik Charls, i cili e viziton shpesh këtë vend,dhe tani ka blerë në fshatin fqinjë një fermë të vjetër. Kështu edhe për fshatarët nga fshati Stejaris janë krijuar disa mundësi të reja për të fituar para.
Pas ndryshimeve politike të vitit 1989 në fshat erdhi edhe një inxhinier nga Austria. Qëllimi i tij ishte që t'u ndihmojë vendasve të kalojnë fazën e tranzicionit nga sistemi i diktaturës komuniste në demokraci. Wolfgang Hoisner në vitin 2004 bashkë me Barbara Schöfnagel, e cila më parë ka qenë përgjegjëse për çështje sociale në ambasadën e Austrisë në Bukuresht, themeluan shoqatën Au-Ro (Austri-Rumani), e cila merret me zhvillimin e aktiviteteve sociale në Rumani.
Autobus shkolle për fëmijët
Një ndër projektet e kësaj shoqate tani do t'u kushtohet banorëve të fshatit Stejaris. Barbara Schöfnagel tregon vazhdimisht në intervistat e saj, se ky fshat është ideal për investime të tilla, sepse këtu bashkëjetesa mes romëve, rumunëve dhe gjermanëve funksionon veçanërisht mirë. Këtë e konfirmon edhe banori i fshatit me prejardhje gjermane, Misch Gierling, që gjithashtu është pjesë e këtij projekti. Në mënyrë që kushtet e tyre ekonomike të përmirësohen romëve u mundësohet të kenë një përgaditje të mirë profesionale. Disa prej tyre tani janë të punësuar në sektorin e përpunimit të metaleve apo të drurit. Ata shkollohen nga ekspertë vullnetarë në pension nga Gjermania dhe Austria.
Pjesë e punës së shoqatës Au-Ro në Stejaris është krahas shkollimit të të rriturve edhe shkollimi i fëmijëve romë. Në mënyrë që këta të mund t'i ndjekin mësimet në shkollën që gjendet katër kilometra larg, kjo shoqatë u ka siguruar një autobus nxënësve. “Sot pothuajse të gjithë fëmijët romë ndjekin mësimin në shkollë”, tregon mësuesja e matematikës Adela Gierling, e cila u jep mësim fëmijëve.
“Askush nuk është larguar që këtu”
Shumë prej të rriturve sot punojnë në bujqësi, apo posedojnë ferma. Qumështin ata ua shesin dy ndërmarrjeve të mëdha. “Askush nuk është larguar që këtu”, thonë me krenari disa banorë të fshatit: madje as drejt Europës Përendimore, ku shumica prej tyre përfundojnë me ndihma sociale.
Disa prej tyre shkojnë çdo vit në Gjermani, për të punuar si punëtorë sezonalë, pasi atje fitojnë shumë më mirë se sa këtu. Por ata kthehen sërish këtu dhe me paratë e fituara dhe ndihmat nga shoqata Au-Ru ata rinovojnë shtëpitë e tyre, blejnë traktorë apo edhe mjete të tjera për punët e tyre bujqësore. Përmirësimet janë të dukshme në Stejaris, madje edhe tek romët.
Në verë ata mbledhin fruta pyjore në pyjet që gjenden afër fshatit të tyre, dhe i përpunojnë në marmelatë apo në raki. Pjesë e projektit të shoqatës është gjithashtu një fabrikë në shtëpinë e vjetër të famullirit evangjelist afër Kirchenburg. Produktet nuk shiten vetëm në Rumani, por edhe në Vjenë.
“Shoqata ka ndryshuar jetën time”
Në Stejaris ka rënë nata. Në shtëpinë e vjetër të famullirit janë mbledhur disa banorë të fshatit pët të biseduar. Felicia, është një ndër gratë që punon tek shoqata Au-Ro. Burri i saj është farkatar dhe punon në punishten e tij. Më parë ata jetonin në një shtëpi shumë të vjetër, sot jetojnë në një shtëpi të rehatshme. “Shoqata ka ndryshuar jetën time dhe atë të banorëve tjerë të fshatit në përgjithësi”, tregon ajo e entuziazmuar.
Deri më tani ky projekt pati 300.000 euro investime direkte dhe rreth 15.000 orë pune vullnetare të ekspertëve në pension nga Gjermania dhe Austria. “Kjo punë ka qenë me vlerë”, thotë Misch Gierling. Me furnizimet e firmave dhe shoqatave nga Rumania dhe Austria fshatit i është ofruar një ndihmë prej një milionë eurosh. Gjermanë, austriakë, rumunë dhe romë të gjithë kanë kontribuar që Stejaris/Probstdorf sot të jetë një projekt shembulltor. “Dhe së shpejti edhe romët nuk do ta fshehin prejardhjen e tyre etnike”, thotë një banore e vjetër e fshatit. Megjithatë, kjo nuk ka rëndësi: “Me rëndësi është që të gjithë të jetojnë mirë në fshat.”