1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ështe gjetur ende zgjidhja për bllokadën që ju bëhet mallrave kosovarë nga Serbia dhe Bosnja

Bekim Shehu14 Janar 2009

Ka më shumë se një muaj që Serbia dhe Bosnja nuk lejojnë hyrjen e mallrave të Kosovës në territorin e këtyre dy vendeve. As tranziti nuk lejohet. Serbia dhe Bosnja nuk e njohin shtetin e Kosovës.

https://p.dw.com/p/GYIb
Dy kosovarë të rinj pozojnë përpara produkteve të dyqanit të tyreFotografi: picture-alliance/dpa

Serbia dhe Bosnja, që nga zëvëndësimi i vulave doganore të UNMIK-ut me ato të Kosovës nuk lejojnë mallrat kosovare të hyjnë në territorin e këtyre vendeve. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku ka dërguar një notë proteste në organizatën CEFTA, ku pritet të zhvillohet një takim me anëtarët e kësaj organizate dhe të gjendet zgjidhja. Nënshkruese të marrëveshjes së CEFTA-s, e cila lejon shkëmbimin tregtar ndërmjet vendeve të rajonit janë edhe Serbia dhe Bosnja.

Deutsch: Flagge des Zentraleuropäischen Freihandelsabkommens (CEFTA)
Flamuri i CEFTA-s

Lutfi Zharku shprehet, se para se të mbahet mbledhja e komitetit të CEFTA-s dhe para se të kuptohen sinjale, se ankimi i palës kosovare nuk do të ketë sukses, nuk do të ndërmerret asnjë hap tjetër. "Ne po angazhohemi që mbledhja e komitetit të mbahet në një afat sa më të shkurtër dhe mund të them se ne dëshirojmë që këtë çështje ta zgjidhim në mënyrë diplomatike, pa pasur nevojë që të ndërmarrim veprime të njëjta".

Disa analistë nga Kosova mendojnë se veprimi i Serbisë dhe i Bosnjes, të cilat pengojnë mallrat kosovare që të hyjnë në territorin e tyre ka të bëjë me ndëshkimin, që këto dy vende dëshirojnë t'i bëjnë Kosovës pas shpalljes së pavarësisë. Serbia dhe Bosnja janë dy vendet e vetme të rajonit që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Analisti Shpend Shahini është i mendimit se Kosova në fund të fundit duhet të veprojë si Serbia dhe Bosnja përderisa nuk gjendet zgjidhja: "Kosova së pari duhet të ndërmarrë disa hapa, të njoftojë Kombet e Bashkuara. Kosova ka marrë përgjegjësitë në dogana. Duhet të njoftohen shtetet anëtare të CEFTA-s se Kosova ka shpallur pavarësinë me 17 shkurt dhe ka marrë përgjegjësitë, të jepet një afat kohor që kjo çëshje të zgjidhet. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë masa e fundit është bllokimi nga Kosova i mallrave të Serbisë dhe Bosnjes."

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë, se nuk do t'i bllokojnë aktualisht mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë, përderisa nuk ka një përgjigje nga komiteti i organizatës së CEFTA-s, i cili pritet të mblidhet gjatë kësaj jave. Ata dëshirojnë ta zgjidhin këtë problem në mënyrë diplomatike. Pengesa që u bëhet mallrave kosovare që të hyjnë në Serbi dhe Bosnje do të dëmtojë edhe komunitetin e biznesit të këtyre dy vendeve. Dëmet e shkaktuara bizneseve kosovare vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit 2008, sipas zyrtarëve të ministrisë së tregtisë dhe industrisë llogariten në afro 800 mijë euro.