1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

25 vjet nga fillimi i luftës në Bosnje

5 Prill 2017

Vrasja e dy demonstrueseve të reja para 25 vitesh shënoi fillimin e luftës në Bosnje-Hercegovinë. Sot 25 vjet më vonë mund të thuhet se nacionalizmat kanë fituar.

https://p.dw.com/p/2akyC
25 Jahre nach dem Kriegsbeginn in Sarajevo
Fotografi: DW/S.Huseinovic

Para 25 vitesh, më 5 prill 1992, u vranë gjatë një demonstrate paqësore në Sarajevë dy persona. Ndonëse në Bosnjë-Hercegovinë edhe më parë ka pasur sulme, vrasje dhe përndjekje, kjo ditë konsiderohet si dita e fillimit të luftës në Sarajevë, ku gjatë luftës humbën jetën më shumë se 11.500 vetë. Ndër ta edhe 1.600 fëmijë. Në gjithë Bosnje-Hercegovinën, deri në Marrëveshjen e Dejtonit në vitin 1995, u vranë rreth 100.000 njerëz, me qindra mijëra u dëbuan nga vatrat e tyre si pasojë e spastrimeve etnike, ndërsa pjesa më e madhe e vendit u shkatërrua.

25-vjetorin e fillimit të luftës në Bosnje-Hercegovinë nuk dëshiron në fakt ta kujtojë askush. Kjo ditë shënon për të gjithë fillimin e gjërave më të tmerrshme. Të mbijetuarit kujtojnë viktimat dhe pjesëtarët e vrarë të familjeve. Pikëllimi është ndjenja që mbizotëron. Ata që ndihen fajtorë nuk duan ta kujtojnë këtë ditë. Ndërsa për luftën ata fajësojnë palën tjetër, apo japin ndonjë shpjegim që ndërlidhet me teori komploti. Faji gjithmonë u hidhet të tjerëve apo fuqive abstrakte.

Ai që sot kalon nëpër Sarajevë, apo viziton godinën e Adminsitratës Ndërkombëtare OHR, duhet të kalojë nëpër një urë - "Urën e Suadës dhe Olgës", sepse atje më 5 prill 1992 u vranë Suada Dilberoviq und Olga Suçiq nga snajperistët serbë, të vendosur në hotelin e okupuar Holiday Inn. Ato të dyja ashtu si edhe 100.000 persona të tjerë kishin dalë në protesta paqësore. 34-vjeçarja Olga dhe 23-vjeçarja Suada ishin të feve të ndryshme: katolike dhe myslimane.

Kundër ekstremizmave nacionaliste

Asokohe ishte e parëndësishme përkatësia fetare. As për Igorin serb, i cili i zbuloi snajperistët dhe i vrau, nuk ishte me rëndësi kjo përkatësi. Igori më vonë së bashku me boshnjakët dhe kroatët mbrojti Sarajevën nga snajperistët e trupave të Ratko Mlladiqit. Por pas luftës ai u detyrua të ndërrojë identitetin dhe të ikë diku, si edhe qindra serbë të tjerë, të cilët ishin në mbrojtje të Sarajevës. Ndërsa nga serbët tjerë ata u shpallën si tradhëtarë. Gjenerali me origjinë nga Beogradi, Jovan Divjak, i cili ishte zëvendëskomandant i njësive mbrojtëse të Armatës boshnjake, ka mbetur edhe sot në Sarajevë ku konsiderohet si hero. Por njëkohësisht atij i duhet të ketë kujdes nga hakmarrja e nacionalistëve serbë.

Mbrojtësit e Sarajevës nuk kanë luftuar vetëm kundër ekstremistëve nacionalistë por për një shtet multietnik, multifetar dhe kundër parimeve nacionaliste. "Ata kanë mbrojtur vlerat evropiane nga barbarizmat", thotë Jovan Divjak. Ndërsa sulmuesit donin ta shkatërronin një shoqëri të tillë, donin të okuponin sa më shumë territor dhe t'i dëbojnë të tjerët. Politika e spastrimeve etnike ka qenë baza e veprimit të tyre. E kjo jo vetëm prej atyre e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq por edhe nga ana e  presidentit të atëhershëm kroat Franjo Tugjman.

Erich Rathfelder
Erich RathfelderFotografi: Erich Rathfelder

Nacionalistët kanë fituar

Të dy presidentët, Millosheviq dhe Tugjman, ishin takuar fshehurazi në prag të luftës në Kroaci, në mars 1991, dhe patën biseduar për ndarjen e Bosnje-Hercegovinës. Ata kanë qenë kundërshtarë, por kanë pasur të përbashkët parimin nacionalist. Lufta në Bosnje simbolizon pra jo vetëm luftën mes tre grupeve etnike, por edhe luftën e parimit nacionalist kundër shoqërisë multietnike.

Nacionalistët e të gjitha anëve kanë fituar. Në fund të luftës, më së shumti kanë përfitura mbrojtësit e maskuar në petkat myslimano-kroate. Parimi i jetës multietnike ende është gjallë, por vetëm tek disa shtresa kulturore dhe në muzikë. Ndërsa politikisht ia ka dështuar.

Bashkësia ndërkombëtare i ka pranuar parimet e ndarjeve etnike në Dejton në vitin 1995. Evropa nuk i ka mbrojtur për fat të keq parimet e veta në Bosnje. A ka lidhje ngritja e nacionalizmave në Evropë edhe me epilogun e luftës në Bosnjë-Hercegovinë? Ekstremizmat nacionaliste me siguri që kanë përfituar!

Erich Rathfelder është gazatar dhe autor. Ai shkruan për gazetën TAZ dhe ka shkruar disa libra për zhvillimet në Ballkan. Jeton në Sarajevë dhe në Split.