1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindje e vështirë! Demarkacioni me Malin e Zi ratifikohet

Bekim Shehu
21 Mars 2018

Pas tre vitesh refuzimi e kalimi pa sukses në Kuvendin e Kosovës marrëveshja e kufirit me Malin e Zi u ratifikua më në fund me 80 vota pro.

https://p.dw.com/p/2ujjw
Kosovo 10 Jahre Unabhängigkeit
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Me 80 vota pro dhe me kundërshtimin dhe gazin lotsjellës të hedhur disa herë në seancat e mëparshme nga lëvizja Vetëvendosja, Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Në këtë mënyrë i jepet fund një teme tre vjeçare, debatet rreth së cilës ndër vitet e fundit u shoqëruan edhe me akte të dhunshme, brenda seancave dhe jashtë seancave në rrugët e Prishtinës. Për t'u siguruar numri prej 80 votave sa duhej për t'u arritur dy të tretat e votave, koalicionit qeverisës iu desh edhe një votë nga lista Srpska dhe votën pro e dha Adem Hoxha, deputet i pakicës gorane në subjektin politik lista Srpska.

Vetëvendosja kundër

Nëntë deputetët e tjerë serbë nuk morën pjesë në seancë. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, është njëri nga kushtet e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sapo ligji i demarkacionit duhej të hidhej në votim, deputetët e Vetëvendosjes hodhën gazin lotsjellës.

Njëra nga deputetët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e arsyeton hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e kuvendit për ta penguar votimin e demarkacionit, me Malin e Zi se kosova humb territor. "Me veprimet tona ne po i shpëtojmë deputetët e tjerë nga akti i tradhtisë që po i bëjnë Kosovës. Ne jemi të bindur se Kosova humb territor. Mund të duket si jo normale situata e krijuar në kuvend, por edhe para tre viteve kemi vepruar njësoj dhe për shkak të rezistencës kjo çështje nuk ka kaluar”, u shpreh Albulena Haxhiu.

Reagime të prezencës ndërkombëtare në Kosovë

I menjëhershëm ishte reagimi i ambasadorit amerikan në Kosovë Greg Delawie nga ambientet e kuvendit, i cili tha se dhuna si mjet politik nuk ka vend në Kosovë. "Dita e sotme ishte zhgënjim për mua, njerëzit që s'kanë ide, i kthehen dhunës politike për të përmbushur qëllimet e tyre, kjo nuk duhet të ndodhë në Kosovë sepse, Kosova është më shumë se kaq. Kjo nuk duhet të ndodhë në një shtet evropian. Kam respekt për të gjithë deputetët që me mjete demokratike po provojnë të arrijnë qëllimin e tyre, kalimin e demarkacionit me Malin e Zi, prandaj i nxis ata që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit”, u shpreh ambasadori Greg Delawie.

Hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend e dënoi edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. "Kjo s'mund të shërbejë si një shembull i mënyrës për të luftuar për ide dhe politikë në forumin më të lartë politik në vend”, shkroi ambasadori Heldt.

Kosovo Pristina - Tränengas im Parlament
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V. Kryeziu

E tronditur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës u shpreh edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova. "Ngjarjet që ndodhën në Kuvendin e Kosovës nuk janë popullore. Unë jam e shokuar çfarë ndodhi në kuvend. Hedhja e gazit lotsjellës në parlament në vendin ku duhet të zhvillohet debat, është kundër principeve të BE-së dhe kjo e sjell Kosovën parapa në zhvillimin e saj demokratik. Unë përgëzoj deputetët që morën guximin për t'u kthyer në seancë dhe ta votojnë demarkacionin”, tha Natalya Apostolova.

Thaçi: Kemi humbur tre vjet

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e dënoi dhunën e shfaqur nga Vetëvendosja në kuvendin e Kosovës dhe hedhjen e gazit lotsjellës Presidenti e cilësoi "si një pamje të pa tolerueshme dhe të tmerrshme për Kosovën në botë”.

"Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mjaft kemi humbur tre vjet me kauza të rrejshme, që po mbajnë Kosovën dhe qytetarët të izoluar. Tani është momenti i së vërtetës dhe i veprimit. Vendimi i deputetëve pro ratifikimit të marrëveshjes është vullnet i qytetarëve që duan t'i përqafojnë vlerat evropiane. Mos lejoni që të sfidoheni nga askush, sidomos jo nga ata që duan ta mbajnë Kosovën larg vlerave evropiane dhe të izoluar”, shkroi në profilin e tij social Presidenti Hashim Thaçi.

Kosovo Pristina - Tränengas im Parlament
Fotografi: picture-alliance/AA/E. Keci

Nuk vonoi shumë dhe për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend reagoi edhe komisioneri evropian për zgjerim, Johannes Hahn. "E dënoj fuqishëm përdorimin e gazit lotsjellës. Një sjellje e tillë nuk ka vend në demokraci. Në këtë ditë të rëndësishme, liderët kosovarë duhet të jenë të përgjegjshëm dhe ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit. Qytetarët e tyre vetëm mund të përfitojnë nga ky hap drejt liberalizimit të vizave”, shkroi në profilin e tij Johanes Hahn.

Reagimi i Listës Srpska

Kundërshtimin e tyre kundër demarkacionit e kanë shprehur hapur Lista Srpska, Lëvizja Vetëvendosja dhe grupi i deputetëve të pavarur të ndarë në kjo parti që gjithsej së bashku bëjnë 42 deputet. Glauk Konjufca shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se "kjo parti është e bindur se Kosova humb territor me marrëveshjen e vitit 2015 të nënshkruar ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi”. Vetëvendosje duke manifestuar kundërshtimin e saj fillimisht, i dorëzoi në tavolinë kryeministrit Haradinaj, shumë dosje me një peticionin të nënshkruar dy vjet më parë nga shumë qytetar që janë shprehur kundër ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Këtë peticion e kishte mbështetur në atë kohë edhe partia e zotit Haradinaj, (AAK) që ishte në opozitë.

Deputetët e listës Srpska nuk kanë marrë pjesë në asnjë seancë rreth çështjes së demarkacionit duke kundërshtuar kështu dhe duke mos u interesuar për ratifikimin e shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Ata më herët janë deklaruar se atyre u intereson më shumë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, sesa, demarkacioni me Malin e Zi.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi Filip Vujanoviq. Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime. Kuvendi i Kosovës ka kohë që e ka ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Kosovën.