OECD: Ballkani duhet të vazhdojë reformat për të thithur investime direkte
18 Prill 2010Në këtë përfundim arrin raporti i fundit i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Evropë (OECD), i cili ndër të tjera jep rekomandime për problemet kryesore që duhen trajtuar me prioritet.
Raporti i OECD-së për vendet e Ballkanit publikuar javën e kaluar, me titull "Indeksi i reformave për investime", shkurt IRI, bën një vlerësim sasior dhe cilësor të politikave dhe institucioneve me ndikim parësor në klimën për investimet direkte. Raporti bazohet në të dhëna nga qeveritë e këtyre vendeve, ekspertëve të pavarur dhe nga sektori privat.
Që prej raportit të fundit të OECD-së në vitin 2006 vendet kanë bërë përparime sa i takon për shembull integrimit në sistemin shumëpalësh të tregtisë dhe përmirësimit të legjislacionit që ndikon qasjen në burimet e financimit dhe mbrojtjen e pronës private. Por sipas raportit të OECD-së reforma të mëtejshme janë të nevojshme në një numër sektorësh. Alistair Nolan, drejtor i departamentit të investimeve për Evropën Juglindore pranë OECD-së shpjegon:
"Rezultatet e raportit flasin nga njëra anë për lajme të mira, sa i takon përparimeve që vendet kanë bërë në ndërmarrjen e reformave në disa aspekte kritike të politikave publike. Këto përmirësime shtojnë mundësinë e tërheqjes së më shumë investimeve direkte. Në të njëjtën kohë raporti tregon se ka një numër reformash strategjike, të cilat janë ende në nivel kritik. Rajoni ndodhet përballë një numri të konsiderueshëm sfidash të mëdha në lidhje me politikat."
Raporti pranon se mes vendeve të rajonit ka diferenca të konsiderueshme, psh. disa janë shumë më pranë anëtarësimit në BE disa janë më të pasur, apo edhe sa i takon strukturës demografike. Megjithatë sfidat dhe reformat e nevojshme janë të përbashkëta për këto vende. Kjo theksohet edhe nga pasojat negative të krizës mbarëbotërore ekonomiko-financiare mbi të gjitha këto vende . Alistair Nolan nga OECD shpjegon:
"Këto vende kanë shënuar një rritje të shpejtë ekonomike që prej vitit 2000, me një rritje mesatare deri 5% në vit. Por kriza bëri të qartë se në rritje kanë ndikuar kryesisht transfertat nga jashtë, rritja e kredisë dhe në disa raste nga investimet. Megjithatë këto investime nuk janë kryer në industri, por kryesisht në ndërtim dhe disa sektorë shërbimi si p.sh. sektorin financiar. Shumë pak prej tyre kanë shkuar në sektorët e orientuar drejt eksporteve. Vendet kanë nevojë për eksporte për të rritur aftësinë e tyre paguese. Dhe tani që proceset e privatizmeve në këto vende po i afrohen fundit, investimet duhet të orientohen në makineri dhe pajisje, fabrika të reja, pra kryesisht në aktivitete të drejtuara drejt eksporteve. Kjo është një sfidë e madhe për rajonin."
Raporti i OECDS-së identifikon disa fusha, ku përmirësimet janë të domosdoshme. Një nga fushat, ku duhet vepruar me prioritet është përgatitja e të rinjve për tregun e punës. Raporti vë në dukje një hendek të thellë mes aftësive të të rinjve që mbarojnë studimet dhe asaj që kërkohet nga punëdhënësit. Por problemet sipas Alistair Nolan janë të tipeve të ndryshme:
"Disa vende përballen me fenomenin "brain drain", pra largimin e shumë të rinjve dhe personave të tjerë të kualifikuar nga vendi. Në vende të tjera shohim se sistemi i arsimit dhe trajnimit nuk prodhon aftësitë e kërkuara më shumë nga sektori privat. "
Rekomandimi i OECD-së për vendet e Ballkanit Perëndimor është pjesëmarrja në vlerësimin e njohur ndërkombëtar me emrin Pisa. Një tjetër rekomandim është përmirësimi i të dhënave për angazhimin në sektorin e arsimit. Shumë nga këto vende nuk kanë tregues të tillë, se sa shpenzohet për student. Është shumë e rëndësishme për këto vende të sigurojnë një nivel të përshtatshëm investimi në arsim, duke nisur nga ai primar. Sipas Nolan ky duhet parë si një investim në të ardhmen.
Treguesit e tjerë në të cilët përqëndrohet raporti i OECD-së janë politika dhe promovimi i investimeve, politika dhe lehtësimet në tregti, qasja në burimet e financimit, analiza e politikës fiskale, reformat në kuadrin rregullator dhe proceset parlamentare dhe përmirësimi i infrastruktës. Megjithë përparimet e konstatuara në raport, punë mbetet të bëhet në adoptimin më të shpejtë të kuadrit rregullator të BE-së në aspektin teknik; në bashkëpunimin me fqinjët për zhvillimin e infrastrukturës si autostradat dhe hekurudhat, çka do t'i bënte këto vende dhe gjithë rajonin më tërheqës për investuesit ndërkombëtarë; të bëhet më shumë në drejtim të analizave se si politikat qeveritare ndikojnë mbi bizneset ; dhe së fundi në mbrojtjen e të drejtave intelektuale, në luftimin e falsifikimit dhe shtimin e transparencës në legjislacionin për biznesin.
Në rastin e Shqipërisë raporti konstaton se është bërë shumë në sektorin e tregtisë, por jo sa duhet në mbrojtjen e pronësisë intelektuale apo përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Alistair Nolan nga OECD:
"Sa i përket tregtisë për shembull Shqipëria është dyta në rajon për numrin e standardeve të BE-së në lidhje me tregtinë, të adoptuara tashmë. Në vend të parë është Kroacia. Sa i takon aftësive të punëmarrësva ka diferenca të mëdha mes nevojave të sektorit privat dhe aftësive e të rinjve që mbarojnë studimet. Në përgjithësi trajnimi i aftësive, që lidhen me punën është nga më të dobëtit në rajon."
Në rastin e Kosovës raporti vë në dukje se duhet bërë më shumë në përmirësimin e kuadrit rregullator për regjistrimin e pronës private:
"Saktësia e regjistrave të pronave dhe hartave të kadastrës janë kritikuar nga sektori privat dhe organizatat ndërkombëtare. Më shumë duhet bërë edhe në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, mbrojtje që është në nivel të ulët në Kosovë."
Autore: Eliana Xhani
Redaktoi: Elert Ajazaj