200810 UNO Pakistan Hilfe
20 Gusht 2010Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Pakistanin në Nju-Jork shumë shtete paralajmëruan një rritje të ndihmave të tyre për viktimat e katastrofës së përmbytjeve.
"Pakistani i është ekspozuar një cunami me pamje të ngadalta, pasi me kalimin e kohës fuqia shkatërrimtare do të rritet."
Ban Ki Mun: Koha nuk pret dhe na duhen shumë para
Kështu u përpoq t'iu bënte të qartë pjesëmarrësve të mbledhjes së jashtëzakonshme për përmbytjet në Pakistan sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun: koha nuk pret dhe na duhen shumë para. 460 milionë dollarë si ndihmë të menjëhershme kërkuan Kombet e Bashkuara nga bashkësia ndërkombëtare në një thirrje të parë për dhurime. Prej tyre është premtuar më shumë se gjysma, por premtimet duhet të ndiqen nga vepra, thekson Ban:
"Ne kemi tashmë më shumë se 60 për qind të mjeteve të premtuara, por ne na duhen të gjitha dhe na duhen tani!"
Sepse sipas përllogaritjeve të reja tetë milionë vetë kanë nevojë urgjentisht për ndihmë, gjithsej janë prekur 20 milionë vetë, theksoi Ban.
Në shtator sekretari i përgjithshëm planifikon të mbledhë gjatë Asamblesë së Përgjithshme krerët e shteteve dhe të mobilizojë ndihmë shtesë afatshkurtër dhe afatgjatë. Në tetor do të gërshetohen në Bruksel përpjekjet për një ndërtim demokratik të Pakistanit.
Shumë folës theksuan se sa të rëndësishme janë për paqen në rajon ndihma e shpejtë dhe një rindërtim eficient i Pakistanit.
"Paqja e arritur këtu me shumë përpjekje është ende e brishtë dhe duhet të stabilizohet", theksoi ministri i Jashtëm pakistanez, Mahmood Qureshi. Gjendja vlerësohet njësoj edhe në Berlin. Ministri i shtetit Werner Hoyer, i cili përfaqësoi qeverinë gjermane në Nju-Jork u shpreh:
"Do të ishte një katastrofë, në qoftë se kjo fuqi bërthamore me problemet e saj të jashtëzakonshme, që ka, edhe pa përmbytjet të dilte jashtë kontrollit. Stabilizimi i shtetësisë së Pakistanit është sigurisht një synim shumë i rëndësishëm, sepse përndryshe do të kemi një problem sigurie përtej kufijve të Azisë Jugore."
Autor: Lena Bodewen/Elert Ajazaj
Redaktoi: Angjelina Verbica