1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

OKB-ja paraqet raportin mbi vendet më të varfra të botës

Monika Dittrich21 Korrik 2006

Lista bëhet gjithnjë e më e gjatë dhe varfëria akoma më dramatike. 50 shtete janë në listën e varfërisë dhe kush futet brenda kësaj liste e ka të vështirë të dalë prej saj. Sepse dalja nga spiralja e varfërisë është shumë e vështirë

https://p.dw.com/p/As6p
Fëmijë të varfër në Indi
Fëmijë të varfër në IndiFotografi: AP

Në zhargonin e brendshëm të Kombeve të Bashkuara, vendet më të varfra të botës emërtohen shkurt "LCD-s". Ky është shkurtimi i "least developed countries" ("vendet më pak të zhvilluara"). 50 shtete janë në këtë listë dhe kush futet brenda kësaj liste e ka vështirë të dalë prej saj. Sepse dalja nga spiralja e varfërisë
është shumë e vështirë. Këtë e bënë të njohur edhe ekspertët e konferencës së OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin, të njohur me emrin UNCTAD-i. Çdo dy vjet ata trajtojnë me shumë kujdes me problemet më të rëndësishme të vendeve më të varfra si edhe shanset e tyre. Rezultati u prezantua dje në Berlin në një raport prej 350 faqesh.

Struktura ekonomike, të ardhurat bruto në vend, vdekshmëria e fëmijëve, shëndeti, ushqimi dhe arsimi- këto janë disa nga kriteret, në bazë të të cilave Kombet e Bashkuara përcaktojnë listën e vendeve më të varfra në botë. Edhe stabiliteti i shoqërive luan një rol në këtë përcaktim. Aktualisht numri i njerëzve që jetojnë në vendet më të varfra të botës arrin shifrën e 740 milionë vetëve.

Por kush radhitet në listën e vendeve më ta varfra të botës?

Mali, Eritrea, Liberia gjenden në këtë listë, po ashtu si Haitit, Bangladeshi dhe Nepal. Në tërësi lista e vendeve më të varfra zgjatet gjithnjë e më shumë.

"Aktualisht kemi 50 vende të kategorizuara si varfra. Shumica e këtyre vendeve gjenden në Afrikë, në jug të Saharasë, pjesa tjetër ndodhet në kontinentin aziatik dhe paqësor"- shpjegon Michael Hermann. Studiuesi i ekonomisë është bashkëautori i studimit të OKB-së për vendet më të varfra të botës.


Por cilat janë arsyet e varfërisë ekstreme? Arsyet janë të shumta dhe të komplikuara. Sipas konferencës së OKB-së për tregtinë dhe zhvillimin, ekziston edhe një problem akut, i cili identifikohet në të gjitha këto vende: Këto vende nuk ja dalin mbanë të krijojnë vende pune jashtë ekonomisë bujqësore. Dhe kjo megjithëse sektori agrar po zvogëlohet gjithnjë e më tepër dhe gjithnjë e më shumë njerëz i lenë zonat rurale dhe vinë në qytete.

"Për shkak të ndryshimit të strukturave në sektorin e shërbimeve dhe të industrisë, kjo lloj kategorie e ka gati të pamundur të gjejë punën e shpresuar. Shumica punojnë në sektorin informal, me produktivitet të ulët, rroga të ulëta dhe pa sigurime shoqërore. Ata nuk do të mund të punojnë në firmat e rregullta në sektorin e prodhimit."

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara rekomandojnë që vendet e varfra t'i investojnë ndihmat ndërkombëtare më shumë në sektorin prodhues dhe punësimin. Rritja ekonomike është receta më e mirë në këto vende për luftimin e varfërisë.

"Thirrja për zhvillim ekonomik nuk është ndonjë risi. Por thirrja për zhvillim ekonomik në kontekstin e politikës së sotme të zhvillimit ndër të tjera nënkupton gati një ndryshim paradigmash. Sepse sot politika e zhvillimit merret vetëm me zhvillimin social. Ajo është fokusuar në mënyrë të dukshme vetëm në sektorin e shëndetësisë dhe atë të arsimit."

Sipas Herrman këto fonde janë të investuara gabimisht. Mjetet për zhvillimin në vitet e fundit janë dyfishuar ndërkohë që investimet në prodhim dhe infrastrukturë kanë rënë. Por në vendet e varfra ka nevojë pikërisht për investime në infrastrukturë dhe furnizimin me energji elektrike. Vetëm kështu krijohen punë dhe rritja kërkesa.

Por çfarë do të ndodhë në rast se lista e vendeve më të varfra rritet dhe varfëria bëhet gjithnjë më dramatike? Atëherë do të kemi një krizë të re borxhesh, po qe se këto vende nuk kanë rritje ekonomike, do të kemi krizë të punëisimit dhe rritje të emigracionit. Kjo do të ndodhë po qe se ne nuk bëjmë gjë për rritjen ekonomike të vendeve më të varfra.

Kështu që është në interes të vendeve më të pasura, të ndihmojnë vendet më të varfra që lista e OKB-së të mos zgjatet edhe më tej.