1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
MediaEuropë

Sulmi që Franca i bën gazetarisë së lirë

Luisa von Richthofen
27 Nëntor 2020

Macron do të dënojë fotografimin apo xhirimin e policëve në aksion. Kjo përbën rrezik të madh për lirinë e shtypit, në një vend ku dhuna policore është duke u përdorur gjithnjë e më shumë, mendon Luisa von Richthofen.

https://p.dw.com/p/3ltYg
Frankreich | TV Ansprache | Präsident Emmanuel Macron
Fotografi: Laurent Theilelt/dpa/picture alliance

Nga sheshi Place de la République në Paris janë duke ardhur imazhe që nuk janë të zakonshme në kohën e izolimit nga Corona: Në fillim të javës atje u mblodhën rreth 500 aktivistë dhe azilkërkues, pjesa më e madhe e të cilëve ishin afganë, të cilëve iu ishte prishur kampi i grumbullimit që ndodhej në periferi të Parisit. Ata të gjithë ishin njerëz që nuk dinin ku të shkonin. Sepse nuk u ishte dhënë asnjë vend ku të sistemoheshin, kështu që ata ngritën çadrat në qendër të qytetit.

Kur ndërhyri policia, aty pati skena që ishin parë edhe më parë në Francë, sidomos në Paris: Njerëzit bërtisnin, shtyheshin dhe goditeshin me shqelma. Punonjësit e policisë i larguan çadrat bojë qielli. Një prej tyre u tund aq shumë sa që një burrë ra përtokë. Kështu që pati ndërhyrje brutale të policisë, e cila përdori kundër të mjerëve gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës. Aty u filmua një polic që godiste disa herë mbi një reporter. Pamjet tronditën gjithë vendin. Imazhe, tregimi i të cilave do të jetë pas pak kohe i paligjshëm.

Sulm mbi lirinë e shtypit

Këtë gjë kërkon të bëjë ligji i ri që presidenti Macron ka nxjerrë për sigurinë. Synimi i ligjit është faktikisht që të mbrojë policët nga dhuna. Ka javë që diskutimet janë fokusuar në artikullin 24. Ky është artikulli që kërkon të penalizojë në të ardhmen fotografimin e forcave të policisë dhe shpërndarjen e fotografive, „nëse ato dëmtojnë integritetin fizik ose psiqik të punonjësve të policisë". Dënimi në këto raste do jetë 45 mijë euro gjobë ose një vit heqje lirie. Presidenti ka parasysh zgjedhjet e ardhshme. Ka muaj që ai është duke treguar veten si „njeri i ligjit dhe rendit", në mënyrë që të ketë mundësi t'u flasë sa më shumë votuesve. Por shumë vetë e shohin ligjin e ri si sulm të paturpshëm mbi lirinë e shtypit. Dhe me të drejtë.

Sepse edhe në Francë dhuna policore nuk është fjalë e huaj. Vitet e kaluara ka pasur në mënyrë të përsëritur skena të teprimit të dhunës. Për shembull në rastin e Adama Traoré, 24 vjeçarit që vdiq kur ndodhej në paraburgim.  Ose gjatë protestave të jelekëve të verdhë ku pati 344 lëndime në kokë, 28 sy të dëmtuar, pesë duar të thyera dhe katër të vdekur – ky ka qenë bilanci i dhimbshëm i demonstratave. Kjo nuk do të thotë se policia nuk është armiqësuar dhe lënduar. Por një shoqëri demokratike duhet të mbështesë njerëzit që dokumentojnë teprimin e dhunës dhe e bëjnë atë publike. Ligji i ri i sigurisë e bën këtë gjë të pamundur.

Qeveria këmbëngul për ligjin megjithë kritikat e bëra

Deri tani kritikat kanë ardhur nga shoqatat franceze të gazetarisë, por tani kritikat vijnë edhe nga vende të tjera. Madje edhe Komisioni Europian u detyrua t'i kujtonte qeverisë së Macronit se gazetarët duhet të ushtrojnë „të lirë punën e tyre dhe ta ushtrojnë në siguri të plotë". Amnesty International e quajti ligjin „të rrezikshëm për të drejtat themelore". Si përgjigje ndaj kritikave artikullit iu shtua një fjali që thotë se kjo gjë nuk duhet të dëmtojë të drejtën e informimit. Kjo nuk është asgjë më tepër se sa një hedhje hi syve.

Rruga e vetme për të mbrojtur lirinë e shtypit do ishte që të hiqej krejt artikulli 24. Sepse nëse bëhet fjalë për të mbrojtur punonjësit e policisë, atëherë ai është i kotë. Kërcënimi dhe fyerja e policëve, edhe në rrjetet sociale, është që tani e dënueshme. Artikulli 24 pra nuk sjell asgjë të re.

Volos 2018 | Luisa von Richthofen
Luisa von RichthofenFotografi: DW/P. Böll

Ligji i hap dyert shpërdorimit të pushtetit

Përveç kësaj artikulli 24 është formuluar jo i qartë. Kjo gjë i hap dyert e dritaret shpërdorimit të pushtetit. Sepse kush është në gjendje që të vlerësojë në një situatë konkrete çfarë është ajo që mund "të rrezikojë integritetin fizik dhe psiqik të punonjësve?”

Pikërisht ai që bën veprën penale dhe bën arrestimet, pra polici! Në këtë rast mjafton që punonjësi të mos e ndiej veten në rrezik.

Me nxjerrjen e ligjit policia mund të veprojë kundër personave që për shembull filmojnë në demostrata dhe dërgojnë imazhet live në rrjetet sociale. Edhe nëse në fund fare nuk bëhet dënimi i atyre që bëjnë filmimet apo i gazetarëve, filmimet ndërpriten. Por pikërisht filmimet janë të rëndësishme si burime për dokumentimin e dhunës policore.

Jo arbitraritet shtetëror kundër gazetarëve

Ky ligj është i rrezikshëm. Francezët kanë jetuar deri tani në një shtet demokratik, të lirë dhe kjo duhet të vazhdojë në këtë mënyrë. Sepse edhe forcat reaksionare mundohen të marrin pushtet. Çdo ligj që kufizon të drejtat themelore i krijon mundësi qeverive të ardhshme që të bëjnë kufizime të tjera.

Gazetarët nuk duhet të kenë frikë se mund të arrestohen në mënyrë arbitrare nga policia. As në Francë as në Europë. Është e trishtueshme, që kjo nuk është më një gjë e vetëkuptueshme për Emmanuel Macronin, që vetëm pak javë më parë hiqej si luftëtar për lirinë e mendimit.