„Pa to s'bën fare" - OJQ-të dhe OKB-ja
4 Shtator 2011Parisi, Meksiko, Melburni dhe tani Boni - prej 64 vitesh mblidhen një herë në vit me ftesën e Sektorit të OKB-së për Informim dhe Shtyp (UNDPI) përfaqësuesit e organizatave joqeveritare nga mbarë bota. Boni është selia e 18 agjencive të OKB-së dhe rreth 150 organizatave joqeveritare. Maria-Luisa Chávez, drejtore e sektorit të OJQ-ve thotë, se Boni mund të konsiderohet si një lloj kryeqyteti i punës mbi baza vullnetare dhe është një vend shumë i mirë për mbajtjen e takimeve të këtilla: „Këtë vit do të trajtohet stili i jetës, modelet ekonomike, organizatat shoqërore dhe mundësia e ndryshimit të politikës, me qëllim krijimin e një shoqërie ku respektohen klima, uji, energjia dhe gjërat ushqimore.“
Në veçanti vëmendje do t'i kushtohet ruajtjes së mjedisit, barazisë sociale, të drejtave të njeriut dhe ndihmave. OJQ-të duhet të ushtrojnë rolin e tyre për sensibilizimin e këtyre temave.
Historiku i OJQ-ve
Nocioni OJQ është futur në përdorim që nga themelimi i OKB në vitin 1945. Këto organizata trajtohen si një zë i rëndësishëm i shoqërisë. Ndër takimet më të rëndësishme për këto organizata ishte "Samiti për Tokën" i mbajtur në vitin 1992, ku u bë fjalë për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin. Takimi në Bon shërben edhe si përgatitje për samitin "Rio+12", në përvjetorin e 20 të "Samitit për Tokën". Felix Dodds, drejtor ekzekutiv i „Forumit për një ardhmëri të qëndrueshme", kryeson këtë takim.
„Planeti ynë është nën presion të madh. Nuk janë këto kohëra të mira për një zhvillim të qëndrueshëm apo për mjedisin. Situata do të jetë edhe më e keqe në qoftë se Rio 2012 nuk ofron plane konkrete për përmirësimin e gjendjes. Nëse qeveritë i zbatojnë premtimet e dhëna në Rio, Nju Jork apo Kopenhagen, bota do të ishte në rrugë të drejtë. Por tani premtimet nuk po mbahen dhe kjo duhet të ndërpritet“, thotë Dodds.
Ditët e ardhshme do të miratohet edhe një dokument për samitin „Rio+12“. Prej vitit 1992 kanë ndryshuar shumë gjëra, thotë Dodds. Ruajtja e klimës, siguria dhe mjedisi, ushqimet, uji dhe energjia janë sot ndër temat dominante në botë. Ka ndryshuar edhe shprehia e konsumit në disa rajone të botës. Eksperti për bujqësi Bernard Geier është koordinator i një OJQ - je gjermane që merr pjesë në këtë takim.
Pritjet dhe shpresat
„Kam qenë në Rio dhe isha i mahnitur - sepse janë bërë shumë ndryshime. Por po frustrohem gjithnjë e më shumë, sepse dallimi mes retorikës dhe veprave është shumë i madh. Ne kemi një shans, e ky do të jetë samiti në Rio. Nëse as atje nuk biem dakord që të kalohet nga fjala në vepra, për mua do të jetë ky samiti i fundit", pohon Geier.
Por ai dhe shumë OJQ gjermane janë optimiste. Në pyetjen nëse vëren ndonjë lodhje nga konferencat e shumta, Felix Dodds përgjigjet se njerëzit janë të kënaqur kur marrin pjesë në konferenca të suksesshme. Ai është i bindur se samiti në Rio do të jetë i suksesshëm dhe do të ketë një jehonë të madhe tek autoritetet politike dhe në opinion.
Autor: Irene Qualle/Bahri Cani
Redaktoi: Lindita Arapi