1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shufa dhe Facebook-u

Michael Gessat/ Aida Cama10 Qershor 2012

Studiuesit nuk pranojnë bashkëpunimin në një projekt të agjencisë së vlerësimit të kredibilitetit Shufa. Megjithatë mbledhja automatike e të dhënave në internet vazhdon të mbetet tendencë e teknologjisë së informacionit.

https://p.dw.com/p/15BQ6
Logo e Shufa-s
Logo e Shufa-sFotografi: picture-alliance/dpa

Shufa është shërbimi që ofron në Gjermani informacionet e nevojshme për dhënien e kredive. Pa informacionet e saj në Gjermani, nëse nuk ke para për të paguar në dorë, nuk bën dot asgjë. Kush kërkon të marrë kredi, të lidhë një kontratë me firmën e telefonëve celularë ose të marrë me qira një banesë, duhet të miratojë kërkesat e Shufa-s. Që do të thotë se banka, firma telefonike ose qiradhënësi kërkojnë të dhëna nëse klienti është në gjendje të paguajë faturat mujore të telefonit ose qiranë, ose nëse ka kredibilitet për të marrë kredi. Në mënyrë që të jetë në gjendje të japë informacione të tilla Shufa mbledh të dhëna, të cilat vlerësohen se shkojnë në 514 milionë për 66 milionë persona privatë. Shufa, është shkurtimi i "Shoqatës mbrojtëse për sigurimin e kredive të përgjithshme".

Të dhëna pozitive dhe negative të Shufa-s

Të dhënat janë për shembull informacione për lidhjet bankare, kreditë, kartat e kredive, kontratat e marrjeve me qira, kontot e telefonëve celularë dhe llogaritë e porosive me postë të njerëzve që jetojnë në Gjermani. Shufa nuk mban të dhëna për profesionin, të ardhurat apo nacionalitetin. Nëse një person nuk hyn në borxhe, kjo nuk është diçka e keqe, kreditë e dhëna apo kartat e kredive shihen nga agjencitë e raportimeve si shenja pozitive. Por kush nuk i paguan në kohë këstet ose nuk paguan faturat, atëherë ai merr një vlerësim negativ. Nga të gjitha këto informacione Shufa krijon një shifër që quhet "Vlera- Scoring". Këtë vlerë e marin bankat, firmat apo qiradhënësit që janë të interesuar.

SCHUFA Holding AG
SCHUFA Holding AGFotografi: SCHUFA Holding AG

Scorin është sekret i firmave

Kush kërkon që të bëjë llogaritjen e saktë të scoring-ut, e mëson këtë nga agjencitë e raportimit. Shufa është duke u përpjekur prej disa kohësh që të jetë transparente në kriteret e vlerësimit. Kriteret me të cilat nxirret scoring kritikohen shumë nga organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve, sepse ato nxirren pa dijeninë e konsumatorëve dhe janë shumë spekulative në interpretimin e tyre.

Për shembull në "geoscoring" vlerësohet si kriter nëse dikush jeton në një lagje të varfër apo të pasur të qytetit dhe kështu nëse fqinjët nuk paguajnë faturat, atëherë merr edhe ti vlerësim të keq. Schufa vetë ka hequr dorë nga kjo metodë, por agjencitë e tjera të raportimit nuk e vrasin shumë mendjen për këtë.

Rrjeti si burim informacioni

Në parim  për nxjerrjen e vlerësimit nuk janë vetëm vendet e banimit, por janë të gjitha informacionet për një person interesante. Ku bën ai blerjet, cilat janë hobit që ka, ku i bën pushimet? Por qytetarët nuk duan të kontrollohen dhe vlerësohen në këtë mënyrë. Prandaj, njoftimet për një projekt studimor që Shufa ia ka ngarkuar ta bëjë Institutit Hasso-Plattner në Universitetin e Pocdamit, ka shkaktuar stuhi të vërtetë. Studiuesit duhet të shohin nëse dhe si mund të nxirren informacione të nevojshme nga të dhënat që janë bërë publike në rrjet. E gjitha është menduar si studim, por Shufa ka shtruar për interes të vetin pyetjen "çfarë pasojash ka për ekzistencën ekonomike të Shufës zhvillimi i teknologjisë së internetit."

Schufa si zhbirues i Facebook-ut?

Në perceptimin e publikut kjo u kuptua ndryshe. A donte Shufa të zhbironte të dhënat private të deklaruara në rrjet si për shembull në facebook, për të nxjerrë informacione për vlerësimin e personave të caktuar?

Ky nuk ka qenë synimi i projektit, thotë specialisti i softwarëve Felix Naumann, i cili duhet të drejtonte punën studimore. Teknikisht nuk është e mundur që të marrësh informacione nga facebook-u për të bërë vlerësimin e personave të caktuar. Shufa përdor të dhëna të veta të kualifikuara dhe nuk ka nevojë për të përdorur të dhëna të pasigurta nga web-i.

Projekti studimor dështoi

"Data Mining", zhbirilimi i masës së madhe të të dhënave në kërkim të tendencave apo informacioneve është tema kryesore aktualisht në informatikë. Kudo në botë grupet studimore janë duke u marrë në universitete dhe në firma me këtë çështje. Kurse projekti në universitetin e Pocdamit ngeci në vend.

Shufa duhet të gjejë tani vetë përgjigje për pyetjen nëse fitimi i informacioneve nga rrjeti do të kthehet në rrezik për modelin e saj të biznesit.

E qartë është një gjë, që të gjitha gjurmët që konsumatorët lënë në rrjet zhbirohen me mundime të mëdha, nga vetë operatorët e rrjeteve sociale si google dhe facebook, por edhe nga qendra të tjera të interesuara e deri tek shërbimet sekrete.