260911 Rettungsschirm Bundestag
29 Shtator 2011Carsten Schneider është deputet i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD). Specialisti nga Erfurti është zëdhënës i socialdemokratëvepër çështjet buxhetore. Schneider është mësuar me shifra të tilla të larta. Por ngritja në një shkallë të tillë e fondit evropian të shpëtimit është një dimension i panjohur edhe për të. Garancitë gjermane duhet të rriten nga 123 miliardë euro aktualisht në 211 miliardë. Dhe nuk dihet nësë kjo shumë do të mjaftojë. Çfarë ndodh nëse Greqia ka nevojë për më shumë fonde? Po qe se edhe Italia kërkon ndihma? Deputeti gjerman thotë me zë të lartë, atë që shumë kolegë të tij pyesin këto kohë: "Me çfarë pasojash do të përballemi ne, dhe çfarë do të ndodhë në tregjet financiare nëse nuk do të miratohet një paketë e re shpëtimi për Greqinë dhe vendi lihet të falimentojë?
Pa përgjigje për çështjet më vendimtare!
Një pyetje me rëndësi kjo, sepse nga përgjigja e saj varet nëse deputetët më 29. Shtator e kanë një rrugëdalje. A mund ta refuzojnë ata shtimin e paketës së shpëtimit? Carsten Schneider ia drejtoi këtë pyetje presidentit të Bankës Federale Gjermane Jens Weidmann. Dhjetë ditë para votimit, komisioni për buxhetin ftoi me nxitim ekspertët për të sqaruar çështjet e hapura.
Por as kreu i Bankës Federale nuk ka një përgjigje për pyetjen më vendimtare. "Besoj se askush nuk mund t'u ofrojë një skenar të besueshëm, se çfarë do të ndodhë në këtë rast. Por duhet të dimë, se ai sigurisht nuk do të jetë nëj skenar shumë i mirë jo vetëm për Greqinë, por edhe për pjesëtarët e tjerë."
Ajo që Weidmann u thotë deputetëve me siguri, është se ai nuk ka shumë shpresa të mëdha tej zgjerimi i fondit evropian të shpëtimit. Me këtë zgjerim bëhet një hap më i madh në drejtim të përgjegjësisë së përbashkët dhe disipliminimit më të vogël përmes tregjeve të kapitalit - pa marrë si shpërblim mundësi më të mëdha kontrolli dhe ndikimi tek politikat financiare të vendeve anëtare.
"Sa të besueshme janë rregullat në paktin e stabilitetit, po qe se dihet, se edhe po qe se ato nuk janë respektuar disa herë në fund të fundit, prapë të jepet një program ndihme, madje edhe kur nuk ka as detyrim për të zbatuar rregullat e këtij programi ndihme?"
Profeci ogurzeza?
Fakte ekonomike përballë politikës. Mes këtyre dy poleve qëndrojnë deputetët gjermanë. A do t'i japin ata qeverisë Po- në e tyre, një qeverie që e ka vullnet të palëkundur mbajtjen e Greqisë në eurozonë? Apo do të shkelin frenat, sepse janë të vetëdijshëm që edhe kapacitetet e ekonomisë gjermane nuk janë të pafundme?
Studiuesi i shkencave ekonomike, Clemens Fuest nga Universiteti i Oksfordit jep profecinë e tij. Deputetët gjermane nuk do të qëndrojnë për herë të fundit para vendimeve të tilla. "Me gjithë respektin për vendimet e Bundestagut, por kufizimi në 211 miliardë euro garanci do të bjerë në atë ditë, në të cilën, tregjet e kapitalit do të humbasin besimin tek Italia. Fillimisht do të intervenojë me shpejtësi Banka Qendrore Evropiane, dhe më pas Gjermania merr përsipër të japë garancitë. Detyrimi mund të rritet në mënyrë dramatike, dhe tregjet llogarisin me gjakftohtësi me të."
Pra tregjet nuk janë shumë të interesuara për shumën e garancive, por nëse ekziston vullneti politik për të ruajtur euron. Për sa kohë ka vullnet politik për këtë, do të ketë paketa shpëtimi gjithnjë e më të mëdha. Kështu kalkulojnë tregjet e kapitalit.
Autor: Sabine Kinkartz/Lindita Arapi
Redaktoi: Esat Ahmeti