Parlamenti gjerman miratoi paketën për shpëtimin e euros
21 Maj 2010Para dy ditësh qeveria pat sinjalizuar gatishmëri për realizimin e një tatimi ndaj transaksioneve financiare. Por ministri i financave Wolfgang Schäuble është i mendimit që një tatim i tillë nuk ka kuptim të vendoset vetëm brenda kufijve të një vendi: "Mirë do të ishte që ai të vlente për gjithë Evropën, por në qoftë se nuk është e mundur kjo, atëherë do të përpiqemi ta realizojmë për vendet e Euros, por nuk mund t'ua premtoj që sot", u tha ai deputetëve.
“Parlamenti nën presion”
319 deputetë votuan pro kontributit gjerman në pakon evropiane për mbrojtjen e Euros, e cila në total kap shifrën prej 750 miliardë Euro. 195 parlamentarë abstenuan, ndër ta edhe “Të Gjelbrit”, megjithëse dy javë më parë, kur kishte qenë në pyetje pakoja 22,4 miliardësh për shpëtimin e Greqisë, ajo ishte partia e vetme opozitare, që pat votuar pro. Kryetari i grupit parlamentar, Fritz Kuhn, argumentoi se "ky abstenim reagon ndaj sjelljes mospërfillëse të qeverisë me parlamentin, në një masë të cilën unë deri tani nuk e kisha përjetuar". Të gjitha partitë opozitare e kritikuan koalicionin qeverisës, se pakoja e ndihmave për Euron është miratuar nën presion dhe se nuk njihen as efektet e saj, e as se si do të jepen kreditë e shpëtimit.
Varësi nga tregjet financiare
Kryetari i grupit parlamentar të Së Majtës Gregor Gysi iu drejtua kancelares: "Zonja Kancelare, ju duhet ta kuptoni që tani po ju tërheqin për hunde në arenën e cirkut. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian duhet të kenë marrë një vendim deri në një orë të caktuar, se pastaj hapet bursa e Tokios. Nuk e kuptoni ju që kjo e dëmton demokracinë. Përse duhet të jemi ne kaq të varur nga një bursë? Përse nuk mund të sundojë politika mbi tregjet financiare?"
Ligji e autorizon ministrinë e financave që të japë garanci për kreditë, që u jepen vendeve anëtare të zonës së Euros, likuiditeti i të cilave është në rrezik. Menjëherë pas miratimit të tij në Bundestag ligji kaloi edhe në dhomën e landeve, pra Këshillin Federal.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Angelina Verbica