1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pension 1543 euro – pas 45 vitesh punë

25 Korrik 2023

1543 euro: ky është pensioni mesatar në Gjermani pas 45 vitesh punë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës. E Majta mendon se kjo është shumë pak.

https://p.dw.com/p/4UL8e
Pensionistët
PensionistëtFotografi: Neundorf/Kirchner-Media/picture alliance

Pensioni mesatar pas të paktën 45 vitesh punë në Gjermani arrin në 1.543 euro. Ky informacion është paraqitur nga qeveria gjermane në përgjigje të një pyetjeje të kreut të grupit parlamentar të partisë E Majtë në Bundestag, Dietmar Bartsch.

Diferenca mes pensioneve të femrave dhe meshkujve arrin në disa qindra euro. Mesatarja e pensionit të meshkujve arrin në 1.637, kurse për femrat 1.323 euro.

Mesatarja në perëndim të vendit është më e lartë se mesatarja në landet e ish-Gjermanisë Lindore dhe arrin në 1.605 euro, krahasuar me 1.403 euro në Lindje.

"Bilanci i turpshëm i politikës”

Dy gra të moshuara duke ecur në rrugë.
PensionistëtFotografi: Wolfram Steinberg/dpa/picture alliance

Për Bartschin, shuma mesatare e përmendur e pensionit është "një bilanc i turpshëm i politikës së pensioneve në dy dekadat e fundit". Fakti që gratë dhe gjermano-lindorët kanë pensione dukshëm më të ulëta është për të një shenjë, se "ne jemi larg një sistemi të drejtë të pensioneve adekuate".

Ky politikan kërkoi nga qeveria federale që si kompensim për inflacionin të vendosë njërritje të jashtëzakonshme të pensioneve prej 10 për qindpër të gjithë pensionistët. Sipas tij, "nuk mund të ndodhë që ministrat, sekretarët e shtetit dhe nëpunësit civilë të marrin 3.000 euro kompensim për inflacion, ndërsa fuqia blerëse e pensionistëve të vazhdojë të ulet”.

Gratë marrin pensione shumë më të ulëta

Bartsch kërkoi reformën e sistemit të pensioneve. Që pensionet të jenë më të larta, mund të krijohet një "fond pensioni për të gjithë”. Sipas idesë së tij, do të ishte një sigurim në të cilin kontribuojnë të gjithë punonjësit: "Si nëpunësit civilë, ashtu edhe sipërmarrësit e vetëpunësuar dhe mbi të gjitha deputetët dhe ministrat”. Në Gjermani pensioni është mesatarisht 48 për qind e pagës që merrte punëtori.

Dietmar Bartsch, me bluzë të zezë vere duke parë në kamera.
Dietmar Bartsch, bashkëkryesues i grupit parlamentar të së Majtës në Bundestag. Fotografi: Mykola Berdnyk/DW

Zyra Federale e Statistikave ka konfirmuar se gratë në pleqëri janë financiarisht më të dobëta se burrat. Sipas rezultateve të anketës së të ardhurave dhe kushteve të jetesës nga viti 2021, gratë mbi moshën 65 vjeç kanë një pension mesatar bruto prej 17.814 euro në vit, ndëra pensionet mesatare të burrave ishin 25.407 euro - që është rreth një e treta më shumë se gratë.

Arsyet për këtë përmenden si fakti se gratë punojnë pjesërisht në punët ku pagat janë më të ulëta, se ato shpesh nuk kanë punë me orar të plotë dhe që shkojnë në pushim më shpesh dhe më gjatë për shkak të përkujdesjes për të tjerët, për shembull për shkak të fëmijëve ose anëtarëve të familjes që kanë nevojë për ndihmë.

Në të njëjtën kohë, çmimet e akomodimit në shtëpitë e të moshuarve janë rritur sërish në fillim të korrikut. Në vitin e parë personat që sistemohen në këto shtëpi duhet të paguajnë mesatarisht 2.548 euro në muaj nga xhepat e tyre, që është 348 euro më shumë se nga mesi i vitit 2022. Arsyeja kryesore është rritja e pagave të stafit.

(ard)