Piloti studioi dyert e avionit para vetëvrasjes
2 Prill 2015Prokuroria gjermane bëri të ditur se beson që piloti i dytë i Germanwingsit, që rrëzoi avionin javën e kaluar në Alpet franceze, kishte bërë kërkime në kompjuter, si mund ta vriste veten. Kërkimin në kompjuter ai e bëri pak para se të ndodhte rrëzimi i avionit me 150 vetë.
Këto prokurorët e Dyseldorfit i bazojnë në gjurmë të gjetura në kompjuter, në shtëpinë e Andreas L. Kërkimet piloti i pati bërë midis datave 16 dhe 23, deri një ditë para përplasjes së avionit. Ai pati kërkuar hollësi për dyert e kabinave të pilotit dhe masave të sigurisë lidhur me to.
"Në të paktën një ditë, personi kërkoi në internet për disa minuta informacione për dyert e kabinës së pilotit dhe masat e sigurimit të tyre", tha prokuroria gjermane.
Ndërkohë, Prokuroria franceze bëri të ditur se u gjet edhe kutia e dytë e zezë e avionit. Nga vlerësimi i regjistrimeve të saj, prokurorët presin të mësojnë të dhëna shtesë për tragjedinë me 150 viktima.