1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Podgoricë: Kryeministri Krivokapiq pret rënien e qeverisë

4 Shkurt 2022

Zv/dëskryeministri i Malit të Zi i Dritan Abazoviq nuk u shkarkua në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit pasi shumica e deputetëve nuk e mbështetën propozimin e kryeministrit për shkarkimin e tij.

https://p.dw.com/p/46Uvl
Parlament von Montenegro
Fotografi: parliament official website

Shumica e deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi nuk e mbështetën propozimin e kryeministrit për shkarkimin e zv/kryeministrit Dritan Abazoviq dhe emërimin në vend të tij të ministrit të Financave dhe Çështjeve Sociale Millojko Spajiq. 

Nga gjithsej 81 deputetë sa numëron ka Parlamenti  77 ishin të pranishëm dhe vetëm 20 deputetë ishin për miratimin e rendit të ditës. Propozimi për të shkarkuar zv/kryeministrin Abazoviq u iniciua nga kryeministri Zdravko Krivokapiq si përgjigje ndaj nismës së mëparshme të Lëvizjes Qytetare të Ura dhe partive opozitare për të votuar mosbesimin ndaj qeverisë së Krivokapiqit.

Kryeministri në një paraqitje pas dështimit të nismës tha, se është i vetëdijshëm që qeveria e tij do të bjerë me katër shkurt, kur do të zhvillohet seanca e radhës e kuvendit. 

Në një fjalim që zgjati më shumë se njëzet minuta, ai tha se për rrëzimin e qeverisë janë "pajtuar presidenti Gjukanoviq dhe një pjesë e shumicës aktuale parlamentare".

Ai sërish akuzoi Abazoviqin se "planifikoi gjithçka shumë kohë më parë" me Partinë Demokratike të Socialistëve (PDS) të Gjukanoviqit. "Zëvendëskryeministri  Abazoviq, së bashku me PDS-në – që i humbi zgjedhjet e 30 gushtit të viti 2020 - me 4 shkurt duhet të votojnë mosbesimin ndaj kësaj qeverie. Jam plotësisht i vetëdijshëm se do të shkarkohet kryeministri dhe kjo qeveri", tha Krivokapiq. Ndërkaq  para nisjes së seancës, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq u tha gazetarëve, se është e parëndësishme se si do të vendosin deputetët për largimin e tij dhe theksoi se gjëja më e rëndësishme për të ishte që Mali i Zi të ketë një qeveri të re evropiane, duke e zhbllokuar rrugën e saj drejt BE-së. "Të gjithë deputetët le të votojnë ashtu siç mendojnë. Unë pres që të votohet rënia e qeverisë ”, deklaroi ai.

Abazoviqi tha, se pret që qeveria e ardhshme të ketë mbështetjen e të paktën 49 deputetëve, detyra të qarta, kohëzgjatje të kufizuar, për të zhbllokuar rrugën evropiane dhe për të organizuar zgjedhje të ndershme kur të plotësohen kushtet për këtë.

"Si do të jetë qeveria e ardhshme, ndoshta do të ketë më shumë opsione. Kjo do të ishte e drejtë për qytetarët, nuk do të rrezikonte reformat ekonomike, as sezonin e ardhshëm turistik", tha Abazoviq, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme janë një nga opsionet.

Parlamenti vendos për fatin e qeverisë së kryeministrit Krivokapiq 

Parlamenti I Malit te Zi (4.02) do të ketë dy seanca të jashtëzakonshme. Fillimisht do të  debatohet për shkurtimin e  mandatit të Parlamentit të Malit të Zi , ndërsa më pas për  nismën e votëbesimit ndaj qeverisë aktuale dhe formimin e qeverisë së pakicës. 

Kërkesat e ndërsjellta për shkarkimin e kreut të ekzekutivit në Mal të Zi janë epilogu i krizës disamujore, si ndërmjet Parlamentit dhe Qeverisë, ashtu edhe brenda vetë Qeverisë.

Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, haptas është shprehur se është e afërt me Kishën Ortodokse Serbe dhe se kjo e fundit  ndikoi drejtpërdrejt në zgjedhjen e kryeministrit  dhe ministrave në fillim të dhjetorit 2020 nga FD (Fronti Demokratik), Demokratët dhe Lëvizja URA. 

Vetë Krivokapiq e pranoi se në politikë  ka hyrë për shkak të Ligjit aq të përfolur të lirive fetare dhe të permbushë amanetet  dhe premtimet që i ka dhënë kreut të Kishës Ortodokse Serbe – Amfillohje. 

Delegacioni  i BE-së Kisha  mos të përzihet në punët e qeverisë 

Delegacioni i BE-së në Podgoricë kumtoi se "kisha nuk duhet të përzihet në punët e qeverisë, sepse Mali i Zi është shtet sekular”.  "Mali i Zi është shtet sovran andaj çështjet fetare nuk duhet të përzihen në funksion të pushtetit ekzekutiv”, thonë nga delegacioni I BE-së në Podgoricë.

Analistja e situatave politike dhe drjetoresha e Qendrës për Edukim Qytetar, Daliborka Ulareviq thotë për Deutche Welle-n, se kjo qeveri nuk ka përmbushur asgjë nga premtimet e dhëna dhe nuk pa pasur njuhuritë elementare politike për udhëqjen e administratës. Kjo qeveri tani ndodhet në një situatë ku nuk ka përkrahjen e asnjë krahu, por as të vet qytetarëve të Malit të Zi dhe bashkësisë ndërkombëtare. Duke folur për mundësinë e formimit të qeverisë së pakicave Ulareviq tha, se ne ende nuk jemi në momentin ku mund të flasim për një qeveri stabile, e cila do të sjellë vendime të rëndësishme strategjike.  Qeveria e pakicës  do të duhet të merret me uljen e tensioneve në vend, vazhdimin e procestit drejt integrimeve evropiane dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve paralmentare në pranverën e vititi 2023.    

Paralelisht me përpjekjen për zgjidhjen e krizës në institucionet e sistemit, ditëve të fundit janë organizuar protesta në disa qytete të Malit te Zi të drejtuara kundër lëvizjes URA dhe zëvendëskryeministrit Abazoviq, por edhe të gjithë atyre që mund të mbështesin konceptin e qeverisë së pakicës. Kryeministri Krivokapiq dhe kryeparlamentari Beçiq bënë  thirje për qetësi dhe shmangjen e tubimeve, ndaj dhe nata e së premtes (04.02) ishte e qetë  me përjashtim të dhjetra qytetarëve të tubuar para parlamentit. 

 

 

Vera Katana Korrespondente nga Ulqini