1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pogradeci me zjarrfikëse gjermane

4 Dhjetor 2016

Për ditët e festave të fundvitit, Pogradecit merr një dhuratë nga Gjermania. Një zjarrfikëse e nisur nga qyteti gjerman, Vismar përshkoi një rrugë të gjatë drejt portit të Durrësit për të mbërritur në Pogradec.

https://p.dw.com/p/2TgI6
Hilfe aus Deutschland für Albanien
Ndihmë gjermane për Shqipërinë: Pamjet janë ofruar nga Agjencia Gjermano-Shqiptare për LogjistikënFotografi: EMS-Fehn-Group

Vetëm pak ditë më parë nisi udhëtimin e saj të gjatë një zjarrfikëse gjermane për të shkuar në Shqipëri. Rreth 3,300 milje rrugë, itinerari nga qyteti bregdetar i Vismarit drejt portit gjerman në Detin e Veriut, Brake për të shkuar drejt Durrësit e më pas në Pogradec. Për të mundësuar transportin ndihmoi EMS-Fehn-Group, investitori gjerman në Portin e Durrësit, kompani e specializuar në logjistikë dhe menaxhim të transportit të anijeve, bashkë me partnerë të tjerë. Shkarkimi i zjarrfikëses pa kosto dhe profesionalisht u mundësua nga operatori gjerman në terminalin lindor të portit të Durrësit, EMS-APO. Distanca e fundit për zjarrfikësen gjermane është një eksursion i shkurtër prej 170 kilometrash, nga Durrësi në Pogradec.

Müller: Mbështetje nismave që promovojnë miqësinë e ngushtë gjermano-shqiptare

Automjeti i dhuruar Pogradecit ka qenë në shërbim të brigadës së zjarrfikëseve të qytetit Vismar deri në gusht 2016, më pas është dhuruar nga qendra CHW, (Christlicher Hilfsverein Wismar), Organizata Humanitare e Krishterë e Cismarit me një aktivitet 20 vjeçar të ndihmës humanitare. Edhe më parë kjo organizatë ka ndihmuar komunitetet në Shqipëri, sidomos në zonën malore të Mokrës, në juglindje të vendit.

Manfred Müller, drejtor ekzekutiv i EMS-Fehn Group e vlerëson punën e organizatës humanitare. „Grupi ynë është aktiv në Shqipëri për më shumë se tetë vjet e që nga fillimi i kemi mbështetur nismat që promovojnë miqësinë e ngushtë gjermano-shqiptare.” CHW edhe më parë ka ndihmuar fshatrat e thellë dhe të largët në Shqipëri. "Ne jemi më se të lumtur për mbështetjen që i japim atyre, gjë të cilën do vazhdojme ta bëjmë edhe në të ardhmen", thotë Müller.  EMS-Fehn Group ka ndihmuar këtë organizatë edhe për të ndihmuar arsimin shqiptar. Katër vite më parë janë dhuruar soba për ngrohjen e shkollave në rajonin juglindor.