EULEX- arrestime në Prishtinë
23 Maj 2013Në Kosovë misioni i Bashkimit Evropian per polici dhe gjyqësi, EULEX, arrestoi të enjten (23.05.2013)pesë persona të dyshuar për krime lufte. Në një njoftim me shkrim nga misioni EULEX, thuhet se arrestimet janë bërë nga policia e EULEX-it në bashkërendim me njësinë e operacioneve speciale të policisë së Kosovës (ROSU).
"Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit fizik dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skënderajt). Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte", thuhet në njoftimin e misionit EULEX.
Arrestimet janë urdhëruar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, ndërsa, rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Tani për tani misioni EULEX ende nuk i ka publikuar emrat e personave të arrestuar. Por mediat në Prishtinë i kanë bërë tashmë publik emrat e të arrestuarve. Ata janë: Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi.
Arrestimi i pesë personave në Kosovë të dyshuar për krime lufte, u bë në ditën kur organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty Internatioal, publikoi një raport, ku në pjesën për Kosovën kritikon autoritetet për siç thuhet "dështimin e tyre të vazhdueshëm në ndjekjen penalisht të krimeve të luftës, të cilat dyshohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 1999".