1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia arreston tre policë të Kosovës në vijën kufitare

14 Qershor 2023

Prishtina thotë se policët u rrëmbyen nga policia serbe në territorin e Kosovës dhe e quan këtë veprim agresion ndaj vendit. Kurse sipas Beogradit policët janë arrestuar në teritorin e Serbisë.

https://p.dw.com/p/4SZc4
Policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës në vijën kufitare në veri
Policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës në vijën kufitare në veriFotografi: AFP/Getty Images

Policia e Kosovës njoftoi se tre pjesëtarë të saj janë arrestuar nga autoritetet e Serbisë në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi. Ky incident, që ende është i paqartë, ndodhi në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas ngjarjeve të fundit në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri.

Sipas një njoftimi të policisë "në mesditën e së mërkurës, tre zyrtarë kufitarë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare me Serbinë në veri të Kosovës”. Në njoftim thuhet se "njësia patrulluese e kufirit ishte me detyrë thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë”.

Gjendje e tensionuar në veri të Kosovës
Gjendje e tensionuar në veri të KosovësFotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

Më tej thuhet se "me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve të policisë që dyshohet të jenë rrëmbyer nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë dhe është kërkuar lirimi i menjëhershëm i tyre.

Kurti: Agresion ndaj territorit të Kosovës 

Kryeministrin Albin Kurti e dënoi incidentin e sotëm dhe tha se "hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për përshkallëzim dhe destabilizim”. Kurti tha se "policët janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq-Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”.

Kryeministri Kurti kërkoi lirimin e menjëhershëm të policëve dhe ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë mbi Kosovën”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, shkroi se policët janë rrëmbyer, "në një veprim që paraqet shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare”, duke akuzuar drejtpërdrejt Serbinë.

Albin Kurti kërkoi lirimin e menjëhershëm të policëve
Albin Kurti kërkoi lirimin e menjëhershëm të policëveFotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

"Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, shkroi Svecla duke i bërë thirrje "faktorit ndërkombëtar të rrisë urgjentisht presionin ndaj Serbisë që jo vetëm të lirojë zyrtarët e,policisë. por edhe të ndalë provokimet e saj”.

Beogradi: Policët e Kosovës u arrestuan në teritorin e Serbisë

Autoritetet e Serbisë thanë se tre policët e Kosovës janë arrestuar në teritorin e Serbisë, në komunën e Rashkës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se "njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor arrestuan tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që ishin të armatosur deri në dhëmbë”. Ai tha se tre të arrestuarit janë identifikuar me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.

"Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviq gjatë një konference për media në Beograd.

Qyteti i Rashkës gjendet në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.

"Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike të Kumanovës për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, tha Petar Petkoviq. Sipas tij, "policët kosovarë u gjetën thellë në territorin e Serbisë qendrore”.

Petkoviq  shtoi se "Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme”.

Periudhë tensionesh

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga policia e Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

E gjithë kjo po ndodh pas vendosjes së katër kryetarëve shqiptarë në komunat, Mitrovicë e Veriut, Zveҫan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Serbët nuk i pranojnë kryetarët shqiptarë, të cilët nën shoqërimin e policisë së Kosovës po qëndrojnë në zyrat e tyre.

BE-ja merr masa

Për këtë situatë qeveria e Kosovës është kritikuar vazhdimisht dhe Bashkimi Evropian, konfirmoi të mërkurën (14.06) se ka përgatitur një sërë masash kufizuese ndaj Kosovës, disa prej të cilave hyjnë në fuqi menjëherë.

Miroslav Lajcak, Gabriel Escobar dhe Albin Kurti
BE dhe SHBA të pakënaqura me propzimet e kryeministrit të Kosovës Albin KurtiFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

"Këto masa do të kenë pasoja financiare e politike, duke filluar me pezullimin e vizitave të nivelit të lartë, kontakteve dhe ngjarjeve si dhe bashkëpunimin financiar me Kosovën. Këto masa janë të përkohshme dhe varen nga hapat që do të marrë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili ka dështuar të marrë hapa të vendosur dhe veprime për të ulur tensionet në veri”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

"Propozimi i planit të tij (Kurtit) prej pesë pikësh në letrën dërguar shefit të politikës së Jashtme, Josep Borrell, dështoi të trajtojë disa nga elementet thelbësore që nxitën krizën e fundit, të cilat presim t'i trajtojë urgjentisht me masa vendimtare”, tha Stano, duke ju referuar një plani të publikuar të martën (13.06) nga kryeministri Kurti për uljen e tensioneve që parashikon "vendosjen e sundimit të ligjit në veri dhe organizimin e zgjedhjeve të reja atje”.

Zëdhënësi i BE-së tha se për shkak të përshkallëzimeve të fundit në veri të Kosovës, të 27 vendet e Bashkimit Evropian njëzëshëm kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe e kanë bërë të qartë që nëse nuk do të ketë shtensionim të menjëhershëm, do të ketë pasoja negative për të dyja vendet.

dw (dpa, afp, Reuters)