1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Portugalia e suksesshme në luftën kundër krizës

Eliana Xhani (dw/afp/rtr)8 Janar 2014

Qeveria e Portugalisë është lëvduar për politikën e saj të menaxhimit të krizës së borxheve. Irlanda, të cilën portugezët e kanë marrë si model, po rikthehet tashmë në tregjet financiare.

https://p.dw.com/p/1AmrZ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjatë një vizite në Lisbonë, zv/presidenti i Parlamentit Evropian, Othmar Karas, shprehu bindjen se Portugalia do të mbyllë deri në maj programin e ndihmës. Bashkësia e kreditorëve, e ashtuquajtur Trojka, e përbërë nga FMN, Komisioni i BE-së dhe Banka Qendrore Evropiane, do të mund të tërhiqet nga Portugalia më 17 maj, pra përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Kryeministri portugez Pedro Passos Coelho
Kryeministri portugez Pedro Passos CoelhoFotografi: Reuters

Kreditorët ndërkombëtarë i patën premtuar Portugalisë në maj 2011 kredi emergjente në një volum prej 78 miliardë eurosh. Në këmbim ata kërkuan nga qeveria portugeze një politikë të rreptë kursimesh. Në shenjë proteste kundër masave të kursimeve, dhjetra mijëra vetë dolën në mënyrë të përsëritur duke protestuar në rrugë. Kryeministri portugez Pedro Passos Coelho deklaroi që në mes të dhjetorit, se Portugalia nuk do të ketë nevojë për një paketë të re ndihme.

Demonstrime kundër masave të kursimeve në Portugali
Fotografi: Reuters

Irlandezët pothuajse ia kanë dalë

Irlanda për herë të parë që prej largimit nga ombrella e shpëtimit, do të provojë të rikthehet në tregun e kapitalit. Shteti ishull do të emetojë një obligacion dhjetëvjeçar, bëri të ditur agjencia financiare NTMA, pa përmendur datën apo vlerën nominale të obligacionit. Bursianët presin që kjo të ndodhë ditët e ardhshme. Agjencia e lajmeve Reuters citon "qarqe që njihen nga afër me transaksionin" dhe shkruan se obligacioni do të ketë një vlerë nominale prej tri miliardë eurosh.

Bank of Ireland
Fotografi: AP

Anëtarja e eurozonës Irlanda, tre vjet më parë u shpëtua nga falimentimi shtetëror me 85 miliardë euro nga BE dhe FMN. Që atëherë Irlandës i është dashur të ndërmarrë masa të dhimbshme kursimesh për të rivënë nën kontroll financat e saj. Sipas parashikimit të Komisionit të BE-së, në 2015 deficiti shtetëror do të jetë sërish në nivelin e lejuar prej 3 për qind.

Irlanda konsiderohet si shembull për Greqinë, Portugalinë dhe Qipron, që gjithashtu u desh të shpëtohen me paketa ndihmash miliardëshe. Veç kësaj Spanja mori shumë para për të rimëkëmbur bankat e saj në gjendje të keqe. Nga këto vende të goditura rëndë nga kriza e borxheve, Irlanda është sot në situatën më të mirë financiare.