1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prani e lartë e policisë pas sulmit në Londër

30 Nëntor 2019

Pas sulmit me thikë e me pasojë dy të vdekur dhe tre të plagosur në qendër të qytetit po zbardhen gjithnjë e më shumë detaje për dorasin. Në qendër të Londrës është shtuar prania e policisë.

https://p.dw.com/p/3U0qO
UK London nach Terrorattacke auf der London Bridge
Fotografi: picture-alliance/PA Wire/E. Bowden

Numri i patrullave të policisë në kryeqytetin britanik është shtuar pas sulmit me thikë në London Bridge. Gjatë fundjavës do të ketë prani të shtuar të nëpunësve të rendit, tha kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan në intervistë për BBC-në.

Hetuesit, sipas të dhënave të tyre, mendojnë se sulmi ka qenë vepër e një personi të vetëm. Ministri i Sigurisë Brandon Lewis i tha televizionit Sky News, se ndërkohë policia po vazhdon hetimet për të dyshuar të tjerë. Në këtë zonë qendrore të Londrës ka vazhdimisht pengesa në qarkullim. Një segment i madh i qarkullimit vazhdon të jetë i bllokuar.

UK London nach Terrorattacke auf der London Bridge
Fotografi: Reuters/S. Dawson

Të premten (29.11) pasdite, sipas autoriteteve një 28 vjeçar ka goditur me thikë disa persona. Dy prej tyre ndërkohë kanë ndërruar jetë dhe tre të tjerë janë të plagosur. Gjatë ndërhyrjes policia e qëlloi dorasin. Policia njoftoi, se 28 vjeçari ka qenë i dënuar për aktivitete terroriste në vitin 2012 dhe ishte liruar vitin e kaluar. Për lirimin e tij ai kishte pranuar të mbante prangën elektronike në këmbë, njofton gazeta "Times".

Veprimtari për ish-të burgosur

Dorasi e nisi sulmin e tij në afërsi të Fishmonger's Hall, ku ai po merrte pjesë në një veprimtari me temën "Learning Together", kushtuar ish të burgosurve. Shefi i policisë britanike të anti-terrorit, Neal Basu, i tha BBC-së, se mendohet që sulmi ka nisur brenda godinës, përpara se dorasi të largohej nga salla për të vazhduar më tej në „London Bridge, ku arritën ta bllokojnë dhe më në fund u ndalua dhe u qëllua prej policëve të armatosur ".

jj/as (dpa, afp)