Presidenti amerikan demonstron solidaritet me Ukrainën
27 Mars 2022Presidenti i SHBA-së Biden tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk mund të qëndrojë në pushtet, sepse lufta e tij kundër Ukrainës ka qenë një dështim strategjik për Moskën. Ai gjithashtu paralajmëroi forcat ruse që të mos guxojnë të shkelin "asnjë centimetër të vetëm" të territorit të NATO-s.
Duke përdorur fjalët e Papës së parë nga Polonia, Gjon Pali II, i cili u zgjodh si kreu i Kishës Katolike në vitin 1978, Biden tha: "Mos kini frikë!" dhe shtoi: "Ne jemi pranë jush”. Këto fjalë u drejtohen shtetasve të Ukrainës, por edhe të Polonisë si dhe vendeve të tjera lindore të NATO-s.
Retorika jashtëzakonisht e fortë dhe e zjarrtë e presidentit Biden u relativizua shpejt nga Shtëpia e Bardhë, e cila tha se presidenti nuk po bën thirrje për ndryshimin e regjimit në Rusi.
"Ajo që donte të thoshte Presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin”, tha zyrtari i Shtëpisë. "Presidenti nuk po vë në diskutim pushtetin e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit."
Bota duhet të përgatitet për një konflikt të gjatë
Gjatë fjalimit në Varshavë Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u shpreh gjithashtu për bota duhet të përgatitet për njëkonflikt të gjatë për rendin e ardhshëm ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për një "betejë të madhe midis demokracisë dhe autokracisë, midis lirisë dhe shtypjes, midis një rendi të bazuar në rend dhe rregulla dhe atij që dominohet nga forca brutale", tha Biden në një fjalim përpara kështjellës mbretërore në Varshavë.
"Duhet ta kemi të qartë se kjo betejë nuk do të fitohet brenda disa ditësh apo muajsh. Ne duhet të kalitemi për një luftë të gjatë."
Në të njëjtën kohë, Biden theksoi: "Populli rus nuk është armiku ynë".
Përgjegjësi e madhe nga Polonia
Në fjalimin e tij Biden u ndal edhe tek rritja e shqetësimeve të lidhura me sigurinë në Poloni dhe vende të tjera të Evropës Lindore pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Në Traktatin e NATO-s thuhet se një sulm i armatosur ndaj një anëtari të aleancës konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve të NATO-s.
Si anëtari më i madh i NATO-s në ish-bllokun lindor, Polonia po luan një rol kyç në përgjigjen perëndimore ndaj pushtimit të Rusisë vuri në dukje Presidenti amerikan. Biden tha se Polonia "po merr përsipër një përgjegjësi të madhe, por përgjegjësia duhet të jetë e të gjithë NATO-s".
Për shkak të shqetësimeve në rritje SHBA po përforcon trupat në disa nga vendet e Evropës Lindore, që janë anëtare të NATO-s. Sipas këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan, në Poloni janë stacionuar aktualisht rreth 10,500 trupa amerikane.