1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtinë: Prokuria Speciale arreston Jakup Krasniqin

Bekim Shehu
4 Nëntor 2020

Policia e Prokurorisë Speciale të Hagës e mbështetur nga misioni EULEX, arrestuan në shtëpinë  e tij, ish-zëdhënësin të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Aktakuzë ka edhe ndaj Rexhep Selimit ish-epror në UÇK.

https://p.dw.com/p/3ksym
Jakup Krasniqi
Fotografi: DW/B. Cani

Prokuroria Speciale pranë Gjykatës Speciale në Hagë,  arrestoi të mërkurën (04.11) ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi. Një aktakuzë për krime lufte në mbrëmje u konfirmua edhe për Rexhep Selimin, ish-epror në UÇK, aktualisht deputet në kuvendin e Kosovës nga lëvizja Vetëvndosja, njoftoi vet Selimi.  Ish-kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi u arrestua në shtëpinë e tij, pas tetë orë kontrollesh nga policia e Prokurorisë Speciale, të ndihmuar edhe nga policia e EULEX-it dhe policia e Kosovës. Lajmin për arrestimin e Jakup Krasniqit, e bëri të ditur avokati i tij, Valon Hasani.

"Prokuroria e specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhërit, që është lëshuar nga ana e Dhomave të Specializuara është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit dhe tani ai sapo është nisur në Hagë. Është konfirmuar aktakuza kundër tij dhe pritet shumë shpejt të caktohet seanca”, tha avokati Hasani. Sipas tij, akuzat nën të cilat është arrestuar Jakup Krasniqi nuk janë bërë të ditura, por sipas avokatit "janë pjesë e fushëveprimit të dhomave të specialuzuara që trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë”.

Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale për krime lufte, gjatë ditës zhvilloi  një operacion kontrollesh në Prishtinë, operacion ky i  mbështetur edhe nga policia e Kosovës dhe pjesëtarët e misionit EULEX. Hollësi të tjera nuk u dhanë. KOntrolle u kryen që nga  paraditja në shtëpinë e ish- zëdhënësit të UÇK-së, dhe ish-kryetar i kuvendit Jakup Krasniqi. Gjatë muajit korrik të vitit 2019, Jakup Krasniqi është intervistuar nga Gjykata Speciale.

"Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë", thuhet në një njoftim të prokurorisë Speciale, duke mos dhënë hollësi të tjera.

Ndërkohë në orët e mbrëmjes aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale mori edhe ish eprori i UCK-së, Rexhep Selimi, i cili njoftoi vet se të enjten (05.11) do të udhëtojë për në Hagë.

"Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t'ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime”, shkroi në profilin e tij social Selimi.

Për zhvillimet dhe operacionet  e Gjykatës Speciale, reagoi Qeveria e Kosovës, e cila tha se Kosova ka dhënë shembull për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare.

"Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare. Njëjtë do të veprohet edhe kësaj radhe me Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente”, u tha nga qeveria në një komunikatë për medie.

Reagim pati edhe nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili muaj më parë vet është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale si i dyshuar për krime lufte: Kontrollet nga policia e EULEX-it, Haradinaj i cilësoi si jo "në përputhje me standardet e shteteve demokratike”.

"Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor. Operacionet e tilla, nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të kryhen nga Policia e Kosovës”, shkroi Ramush Haradinaj.

Dhomat e Specializuara, apo siç njihet me emrin Gjykata Speciale për Krime Lufte, trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Gjykimi i parë në këtë gjykatë  tashmë po zhvillohet ndaj një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili akuzohet për "ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”. Vet Mustafa i ka mohuar akuzat në një paraqitje para gjykatës më 28 tetor.

Më 24 qershor të po këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, edhe kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Prokuroria Speciale e "akuzon”, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si përgjegjës "për 100 vrasje të paligjshme” dhe krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë "qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”. Kjo aktakuzë akoma të paktën publikisht nuk është konfirmuar apo hedhur poshtë. Nëse aktakuza konfirmohet, atëherë presidenti Thaçi, ka deklaruar se ai do të japë dorëheqje nga posti i presidentit. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015  me këmbënguljen e bashkësisë ndërkombëtare, ku kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Që nga viti 2019, mbi 200 ish-pjesëtarë të UÇK-së janë marrë në pyetje si të dyshuar dhe dëshmitar nga prokuroret  e Prokurorisë së Specializuar. Në mesin e të intervistuarve nga Prokuroria Speciale si i dyshuar për krime lufte ishte edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.