Pro dhe kundër reduktimit të trupave të KFOR-it
9 Shkurt 2011Ushtarakë të KFOR-it janë optimistë për gjendjen e sigurisë në Kosovë. Sipas tyre ajo është e qetë dhe po shënon vazhdimisht përmirësime. Mbi këtë bazë e arsyetojnë ata vendimin e strukturave të larta të NATO-s, për të zvogëluar trupat e saj në Kosovë, nga 10.000 sa janë aktualisht në 5.000 trupa. Ky proces që ka nisur në fillim të këtij viti do të përfundojë në fund të këtij muaji, thotë për DW, zëdhënësi i KFOR-it kapiteni, Hans Dieter Wichter.
Kritika për reduktimin e trupave të KFOR-it
“Situata e sigurisë gjithandej Kosovës është e qetë dhe stabile, policia e Kosovës tash është mjaft e trajnuar, ka marrë shumë përgjegjësi, kemi policinë e misionit EULEX dhe të gjithë këta mekanizma janë të aftë për të garantuar sigurinë në Kosovë. Problem është veriu i Kosovës i cili akoma mbetet një rajon me potencial për dhunë dhe destabilizim, por forcat paqeruajtëse tashmë masat e tyre ia kanë koncentruar në veri”, thotë kapiteni ëichter. Ai thotë se megjithë reduktimin, trupat e mbetura të KFOR-it, janë më fleksibile më të lëvizshme dhe me një gatishmëri të shtuar.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë për programin tonë se situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësime, mirëpo jo në masën sa të ketë një reduktim kaq të madh të KFOR-it nga dhjetë mijë trupa sa ishin deri tash në pesë mijë. “Unë kujtoj se NATO-ja duhet të jetë prezente në Kosovë me një numër të konsiderueshëm të pjesëtarëve të saj për faktin që nuk mund të themi se nuk ka rrezikshëri në aspektin e sigurisë sidomos të pjesën veriore të Kosovës”, thotë Ramadan Qehaja.
Policia e Kosovës me besim tek aftësitë e saj për ruajtjen e rendit
Policia e Kosovës nga ana e saj, thotë se reduktimi i trupave të KFOR-it nuk do të krijojë boshllëk për faktin që policia megjithëse i ka të ndara kompetencat nga KFOR-i, ajo megjithatë me numrin e policëve që ka është e aftë të mbajë rendin dhe qetësinë në të gjithë territorin e Kosovës. Forcat paqeruajtëse që nga faza e parë kur nisën reduktimin e trupave dy vjet më parë, kanë filluar të bartin disa përgjegjësi te policia e Kosovës. Ato kanë të bëjë kryesisht me ruajtjen e disa objekteve fetare dhe kulturore serbe në Kosovë dhe patrullime në disa vija kufitare të Kosovës me vendet fqinjë të saj, siç është Shqipëria dhe Maqedonia. Komandanti i policisë kufitare të Kosovës, Shaban Guda e vlerëson si të domosdoshme që të bëhet edhe demarkacioni i kufijve të Kosovës në mënyrë që të dihet saktë territori i Kosovës.
“Ne duhet ta dimë se deri ku është vija kufitare e Kosovës në mënyrë që ne ta ushtrojmë të drejtën tonë për mbikqyrjen e kufirit. Është shumë e domosdoshme që të bëhet demarkacioni i kufirit edhe me Serbinë dhe Malin e Zi, por edhe me Shqipërinë. Ne nuk kemi probleme kufitare me Shqipërinë por kufiri duhet të shënjohet”, thotë Shaban Guda.
Kosova deri tash e ka bërë shënjimin e vijës kufitare vetëm me Maqedoninë. Për pjesën e Serbisë kjo çështje thuhet se do të jetë pjesë e bisedimeve të paralajmëruara Kosovë-Serbi. Sipas ekspertëve të çështjeve të sigurisë, shënjimi i vijës kufitare me Serbinë nuk pritet të ndodhë shpejt duke marrë parasysh siç thonë ata, raportet ende të tendosura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Lindita Arapi