Protestohet në Prishtinë kundër planit gjashtëpikësh të OKB-së
19 Nëntor 2008Disa mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha rajonet e Kosovës u mblodhën në Prishtinë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj planit gjashtë pikësh të OKB-së, i cili me pajtimin e Beogradit, do të mundësonte vendosjen e misionit evropian EULEX në Kosovë.
Për protestuesit sovraniteti i Kosovës është i panegociushëm
Protesta e sotme me moton "Ta mbrojmë sovranitetin e Kosovës". u organizua nga një rrjet i gjerë organizatash joqeveritare që vetën e quajnë shoqëria civile e Kosovës. Protesta u mbajt vetëm një ditë pasi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës i thanë "JO" përfundimisht planit të OKB-së dhe propozuan një plan të ri katër pikësh, i cili për bazë ka vetëm Kushtetutën e Kosovës. Organizatorët e protestës thonë se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe sipas tyre çështjet kapitale për Kosovën duhet të hidhen në referendum.
Udhëheqësit politikë kosovarë nuk e kanë përkrahur më parë protestën. Sipas tyre, Kosova ka institucionet e saj, të cilat u përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe vendit. Presidenti, Fatmir Sejdiu, thotë se ai i kupton shqetësimet e qytetarëve, por kujton se politika kosovare tashmë e ka thënë fjalën e vet kundër planit gjashtë pikësh të OKB-së.
Protesta e së mërkurës që u organizua në Prishtinë kaloi e qetë. Ajo llogaritet si protesta më e madhe qytetare në këto vitet e fundit.
Vlerësimi i analistëve
Analistët nga ana e tyre vlerësojnë se plani gjashtë pikësh i OKB-së garanton një autonomi të përkohshme për doganat, policinë dhe gjyqësinë në vendbanimet serbe. Plani që e mori pajtimin edhe të shumë vendeve të BE-së, është sfida e parë që i bëhet Kushtetutës së Kosovës. Ata disa herë kanë tërhequr vërejtjen se prania e shumë misoneve ndërkombëtare në Kosovë do ta bëjë vendin jofunksional dhe do të sjellë telashe në vendimarrje dhe vazhdimisht sipas tyre do të shënohet shkelje e Kushtetutës.