1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Punët në federatë pas zgjedhjeve

14 Maj 2012

Partisë së kancelares Angela Merkel iu desh të përtypte një humbje të rëndë në zgjedhjet në landin me popullsinë më të madhe, në Renani Veriore - Vestfali. Mirëpo, kjo nuk mbeti surpriza e vetme e mbrëmjes.

https://p.dw.com/p/14uqg
Hannelore Kraft, kandidatja socialdemokrate fitoi zgjedhjet e landit
Hannelore Kraft, kandidatja socialdemokrate fitoi zgjedhjet e landitFotografi: dapd

Zgjedhjet me gjasa më të rëndësishme të vitit 2012 në Gjermani, ato për parlamentin e landit Renani Veriore - Vestfali (NRW), përfunduan të dielën (13.05.2010) pa ndërrim pushteti. Hannelore Kraft e Partisë Socialdemokrate do të mund ta vazhdojë aleancën e vet me Të Gjelbrit. Megjithëse rezultati ishte i parashikueshëm, tërë vendi (përfshirë kancelarinë në Berlin) shihte me tension të veçantë te këto zgjedhje.

Në pamje të parë kjo nuk është e jashtëzakonshme. Meqenëse në Renani Veriore - Vestfali jetojnë gati 18 milionë vetë dhe këtu prodhohet gati çereku i produktit të brendshëm bruto, zgjedhjet në NRW konsiderohen gjithnjë edhe si zgjedhje kombëtare të vogla. Përveç kësaj, në zgjedhjet e viteve 1966, 1995 und 2005 këtu erdhën në pushtet fillimisht alenca partiake, të cilat parathanë kombinimet e reja në rang federate.

Princi trashëgimtar i Merkelit është humbësi i madh i zgjedhjeve

Tani, demokristianët (CDU) shënuan në këto zgjedhje rezultatin e tyre më të dobët historik. Kësisoj aleancës qeveritare të Angela Merkelit me liberalët (FDP) në federatë iu desh të pranonte për të njëmbëdhjetën herë me radhë humbje në rrafsh landi. Kampi i majtë, i përbërë nga socialdemokratët dhe ekologjistët, u fuqizua me këtë rezultat zgjedhor. Megjithatë, ky është vetëm pjesërisht edhe sinjal për raportin e forcave në federatë. Sepse Angela Merkel gëzon vlera simpatie tejet të larta në popull, dhe partia e saj ka një epërsi të konsiderueshme në sondazhet në rrafsh kombëtar. Prandaj, që tani të lëkundet qeveria në Berlin, kjo nuk duhet menduar. Megjithatë, ky është një sinjal paralajmërues, këtë do ta interpretojë kështu edhe kancelarja, e cila në raste humbjesh zgjedhore të kaluara është përpjekur të distancohet nga rezultatet zgjedhore në rrafsh landi.

Norbert Röttgen duhet të dëgjojë kritika
Norbert Röttgen duhet të dëgjojë kritikaFotografi: dapd

Pasojat e këtyre zgjedhjeve janë më tepër të karakterit afatgjatë. Norbert Röttgen, humbësi i zgjedhjeve i demokristianëve, është edhe zëvendëskryetar i CDU-së e ministër Mjedisi dhe konsiderohej si pasardhës i mundshëm i Angela Merkelit. Për të përgatitur pikërisht këtë, Röttgeni deshi të ngrinte në Renani Veriore - Vestfali një bazë pushteti. Ky plan dështoi tani keqas. Qysh mbrëmjen e zgjedhjeve Röttgeni dorëzoi postin e kryetarit të Partisë Demokristiane në nivel landi dhe kthehet i dëmtuar rëndë në Berlin. Këtu ai nuk ka pak armiq dhe kritikues brendapartiakë të punës së tij, para së gjithash te kthesa energjetike e vëzhguar me kujdes ndërkombëtarisht, gjatë së cilës Röttgen nuk ka arritur të demonstrojë udhëheqje të qartë. Me humbjen e parashikueshme zgjedhore në Renani Veriore - Vestafli është dobësuar fort edhe politikani federal Röttgen.

Një grua e re e fortë te socialdemokratët

Socialdemokratët do të emërojnë në fillim të vitit 2013 një sfidues për Angela Merkelin. Megjithatë, fituesja e zgjedhjeve Hannelore Kraft, e cila është tani një zë i fuqishëm në Partinë Socialdemokrate, nuk do të bëhet kandidate për kancelare (ajo e tha këtë shkoqur në fushatën zgjedhore). Deri tani, me rezultatin aktual të dobët të Partisë Socialdemokrate në federatë, ky do të ishte edhe një mision jo fort premtues.

Lotë gëzimi
Lotë gëzimiFotografi: dapd

Në rast se përmirësohen mjaft vlerat e sondazheve për Partinë Socialdemokrate në rrafsh federate, atëherë trysnia brendapartiake mbi Hannelore Kraftin mund të rritej. Aktualisht, Partia Socialdemokrate udhëhiqet nga një treshe, ku secili anëtar spekulon me kandidaturë për kancelar, por në krahasimin e drejtpërdrejtë me Angela Merkelin është më pak i pëlqyer.

Autor: Kay-Alexander Scholz/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi