Përmbysja e regjimit të Phenianit jo në interesin e Kinës
29 Mars 2018A u çuditët me vizitën e Kimit në Kinë?
Në fund të vitit të shkuar, Koreja e Veriut bëri të ditur se programi atomik koreanoverior është përsosur dhe është në gjendje që të prodhojë raketa të afta për t'u përdorur në luftë. Me sa duket, Kim Jong Un e ka riparë që atëherë pozicionin e tij aktual të negociatave dhe gjendjen politike ndërkombëtare dhe vendosi që të nisë një ofensivë diplomatike. Fillimisht në kuadër të Lojërave Olimpike Dimërore dhe pastaj në formën e një mesazhi të përcjellë nga Koreja e Jugut në Uashington. Thuhet se tani ka plane edhe për një bisedë të drejtpërdrejtë midis Koresë së Veriut dhe Japonisë.
Kina është dhe mbetet aleati më i rëndësishëm i Koresë së Veriut. Për shkaqe të caktuara, marrëdhëniet mes dy vendeve së fundi kanë qenë pak të tendosura. Megjithatë, bërthama e këtyre marrëdhënieve shumëvjeçare mbetet e paprekur. Unë nuk e përjashtoj që Kim Jong Uni e vizitoi tani Kinën për t'i përmirësuar marrëdhëniet.
Agjencia e lajmeve Hsinhua shkruan se Kim ka lënë të kuptohet se është i mundur një çarmatim bërthamor. Cilat janë hapat konkrete që duhet të pasojnë në këtë rrugë?
Se cilat janë hapat konkrete që do të pasojnë, për këtë për momentin vetëm mund të spekulosh. Për mendimin tim, Kim Jong Uni do të vërë në lëvizje diçka konkrete, për ta rritur besueshmërinë e tij në skenën politike ndërkombëtare. Dhe nga ana tjetër, ai mund të arrijë vetëm atëherë suksese të mëtejshme diplomatike ose të arrijë rezultate ekonomike, kur fjalët i pason nga veprat.
A mendoni tani se do të ketë ndryshime në politikën për Korenë e Veriut të Kinës?
Në anën e Kinës unë nuk mund të dalloj ndryshim qendrimi. Kina dhe Koreja e Veriut janë të lidhura me njëra-tjetrën jo vetëm përmes afërsisë gjeografike, ato kanë edhe përbashkësi gjeopolitike dhe strategjike ushtarake. Për të dyja vendet, prioritetin më të lartë e ka siguria vetjake politike dhe ushtarake. Në këtë pikë, deri tani nuk ka pasur kurrë ndryshime ose devijime.
Në marrëdhëniet bilaterale ka pasur faza ku ka pasur tensione ose ftohje. Kur udhëheqja kineze disa vjet më parë nisi një kontakt më intensiv me Korenë e Jugut, këtë mediet perëndimore e interpretuan si sinjal se Kina kërkon tani të afrohet me Korenë e Jugut dhe se po i kthen krahët Veriut. Për mendimin tim ky është vetëm interpretimi perëndimor, sepse Perëndimi dëshiron ta shohë këtë kështu.
Për Kinën ka rëndësi të madhe stabiliteti në rajon. Nuk do të ishte fare në interesin e Pekinit, që regjimi i Phenianit të përmbysej nga Perëndimi.
Trumpi dhe Kim Jong Uni duan të takohen në fund të majit. Pse udhëtoi Kimi tani në Pekin?
Në krahasim me SHBA, Koreja e Veriut ka një rëndësi shumë më të vogël politike, ekonomike dhe ushtarake. Këtë e di edhe Kim Jong Uni. Përkundrazi, Rusia dhe Kina janë dy fuqi të mëdha që mund të krahasohen në shumë aspekte me SHBA.
Kina konsiderohet si aleati i madh i Koresë së Veriut. Para një takimi kaq të rëndësishëm diplomatik, si takimi i drejtpërdrejtë i planifikuar me Presidentin e SHBA, Kim Jong Uni ndoshta donte të merrte mbështetje dhe këshilla nga Pekini. Për mënyrën si i kuptoj unë punët kjo është edhe krejtësisht normale.
Profesor Cai Jian është ekspert në Institutin për Korenë e Jugut dhe të Veriut në Fakultetin për Politikën Ndërkombëtare në Universitetin Fudan të Shangait.