Përse preferohen më shumë djemtë? - Abortet selektive në Evropë
11 Janar 2013Sipas ekspertëve fajin për këtë fenomen e ka imazhi arkaik i familjes në disa vende: djemtë konsiderohen si shtylla e familjes, ata ruajnë emrin dhe traditën, ndërkohë që vajzat kur martohen largohen nga familja.
Franziska Brantner, anëtare e grupit parlamentar të ekologjistëve në Parlamentin Evropian dhe anëtare e komisionit për të drejtat e grave atje, sheh si shkak një numër faktorësh: "Varfëria dhe si pasojë mungesa e mbrojtjes nga shtatzania e padëshiruar, si dhe diskriminimi i grave." Në Shqipëri për shembull aksesi tek kontraceptivët është në nivelin e një vendi në zhvillim.
Pasoja fatale të mungesës së grave
Pasojat e rënda sociale të teprisë së djemve janë të pakontestueshme: "Mund të supozohet se në shoqëritë ku predominojnë meshkujt, gratë trajtohen si princesha, por realiteti tregon se ndaj tyre ka më shumë dhunë", thotë Franziska Brantner.
Për Doris Stump, deputete zviceriane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, mungesa e grave dhe prostitucioni janë dy fenomene paralele: "Mungesa e grave kompensohet përmes futjes së grave nga vende të tjera, si të thuash si mall." Studimi i Fondit të OKB-së për Popullsinë, konstaton gjithashtu se numri i martesave të detyruara të të miturave si dhe numri i vetëvrasjeve tek gratë janë në rritje.
Zhvillime tronditëse në Azi
Në këndvështrimin biologjik është normal një raport gjinish prej 105 djemsh për 100 vajza. Kjo disbalancë natyrore kompensohet më vonë nga vdekshëmria më e lartë e foshnjeve dhe fëmijëve meshkuj. Në disa rajone të Indisë apo Kinës ende sot raporti është 120 deri 130 djem për 100 vajza. Në të gjithë Azinë mungojnë rreth 117 milionë gra, vlerëson eksperti për demografinë Christophe Guilmoto nga Instituti për Zhvillim në Universitetin Paris-Descartes. Guilmoto prej vitesh hulumton raportet gjinore në mbarë botën dhe ka hartuar edhe studimin aktual të OKB-së. Përballë zhvillimit ndërkombëtar demografët në analogji me fjalën "gjenocid" flasin për një "gendercid - vrasje gjinish".
Pasojat e diagnostikës prenatale
E trishtueshme por e vërtetë: përparimi në mjekësi e favorizon abortin me dëshirë. Kështu përmes pamjeve në eko mjekët mund të përcaktojnë gjininë e fëmijës rreth javës së 14-të të shtatzanisë. Abortimi i një fëmijë në tremujorin e dytë të shtatzanisë është i paligjshëm në shumë shtete evropiane. Po kështu është i ndaluar abortimi i një fëmije për shkak të gjinisë. Por statistikat e lindjeve në vende si Shqipëria apo Maqedonia lënë vend për të dyshuar të kundërtën: pra që ligjet në shumë raste anashkalohen, qoftë përmes abortit ilegal, qoftë duke dhënë arsye të tjera për ndërprerjen e shtatzanisë.
Aktivistet për të drejtat e grave shohin një tendencë për përzgjedhje të gjinisë edhe në shtete anëtare të BE-së. Kështu mediet daneze raportojnë për një turizëm të mirëfilltë me qëllim aborti në Suedi, ku ndërprerja e shtatzanisë është e ligjshme deri në javën e 18-të. Studime nga Norvegjia dhe Britania e Madhe konstatojnë një tepri djemsh tek familjet e imigrantëve aziatikë, veçanërisht pas fëmijës së dytë ose të tretë. Por abortimet e qëllimshme të dyshuara nuk konfirmohen nga normat kombëtare të natalitetit.
Trajtimi ligjor i vështirë
Në një rezolutë në nëntor 2011 Këshilli i Evropës në Strasburg konstatonte: "Përzgjedhja prenatale e gjinisë së foshnjeve ka marrë përmasa shqetësuese". Por BE nuk ka instrumenta ligjorë për t'iu kundërvënë këtij fenomeni. Ligjet për abortin dhe ndjekja penale në rast shkeljesh të ligjit janë kompetenca të politikës së shëndetësisë në vendet përkatëse. Për këtë arsye BE nuk mund të kërkojë as nga kandidatët për anëtarësim si Shqipëria dhe Maqedonia një përmirësim të raporteve. Eurodeputetja Franziska Branntner shpreh keqardhje që kjo temë deri tani nuk është trajtuar nga Parlamenti Evropian pasi "nuk është vetëm çështje shëndetësore por edhe humane".
Për eurodeputeten ligjet më strikte për abortin nuk janë zgjidhje. Krahas përmirësimeve në aspektin social dhe luftimit të varfërisë ajo kërkon para së gjithash ndryshim të mentalitetit: "Nevojitet para së gjithash një ndryshim në mënyrën e të menduarit për barazinë gjinore", thotë Branntner.