1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 vjet nga pavarësia e Bosnjë-Hercegovinës

1 Mars 2012

Një marsi dita e pavarësisë së Bosnjë-Hercegovinës është një ditë historike. Në referendumin e organizuar para 20 vjetësh, 64 % e banorëve të këtij shteti u deklaruan për pavarësi. Por dilemat vazhdojnë.

https://p.dw.com/p/14CVm
20 vjet pas pavarësisë Sarajeva nuk është kryeqyteti i ëndërruar
20 vjet pas pavarësisë Sarajeva nuk është kryeqyteti i ëndërruarFotografi: DW

Analistët në Bosnjë-Hercegovinë thonë se ky vend në vitin 1992 kishte dy mundësi: të mbetej në Jugosllavinë e cunguar të kontrolluar nga Sllobodan Millosheviqi apo të niste rrugën e pavarësisë. Vendimi për referendum dhe shpalljen e pavarësisë edhe sot përcillet me debate. Në shumë qarqe thuhet se është dashur të pritet një moment më i volitshëm. Pas luftës këto dilema i ka komentuar edhe ish-presidenti i ndjerë Alija Izetbegoviq: "Një marsi ishte fati ynë dhe është gabim të shtrohet pyetja nëse është dashur të bëhet ndryshe."

E drejta për shkëputje

Bashkësia Evropiane dhe Komisioni i Arbitrazhit në atë kohë në kuadër të Konferencës të Paqes për ish-Jugosllavinë e kanë pranuar në dhjetor të vitit 1991 të drejtën e ish-republikave jugosllave për shkëputje. Në këtë kuadër, shumica e banorëve të Bosnjë-Hercegovinës kanë shpallur edhe pavarësinë. Por për shumicën e serbëve në këtë vend, kjo datë ka shënuar fillimin e vuajtjeve dhe sakrificave të mëdha. Analisti politik nga Banja Luka, Miodrag Zhivanoviq mendon se "Bosnjë-Hercegovina nuk duhej të qe nisur të fare në rrugën e pavarësisë."

Sarajevë, Dhjetor 1994: një baba dhe i biri në arrati nga snajperistët
Sarajevë, Dhjetor 1994: një baba dhe i biri në arrati nga snajperistëtFotografi: picture alliance/dpa

Në anën tjetër, historiani dhe drejtori i Institutit për hulumtimin e krimeve kundër njerëzisë, Smail Çekiq thotë se "pavarësia e Bosnjë-Hercegovinës ka qenë rezultat logjik i ekzistencës shekullore të shtetit boshnjak, luftës antifashiste dhe vendimeve të AVNOJ-it. Bosnjë-Hercegovina është një shtet i njohur ndërkombëtarisht me subjektivitet të plotë.

Reformat e bëra pas Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 kanë mundësuar ndryshime të mëdha në këtë vend. Kjo ka forcuar sot edhe shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Në prognozat e fundit optimiste thuhet se ky vend së shpejti do të plotësojë edhe kushte për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. 20 vjet pas shpalljes së pavarësisë ky do të ishte ky një hap shumë i rëndësishëm i afrimit të Bosnjë-Hercegovinës me familjen evropiane.

Autor: Samir Huseinoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi