Qeveria gjermane zgjati edhe për një vit mandatin e ushtarëve të KFOR-it
6 Maj 2009Ushtarët gjermanë do të qendrojnë në Kosovë edhe gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm. Këtë e miaratoi sot njëzëri kabineti qeveritar në Berlin. Mandati i kontingentit të KFOR-it, që tashmë zgjatet për herë të nëntë, përmban dy ndryshime në dy pika vendimtare, siç bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Thomas Steg: "Ne e kemi ulur kufirin e sipërm të koningetit nga 8500 në 3500. Me këtë ndryshim nuk synojmë të prekim forcën faktike të stacionuar në Kosovë, ajo është aktualisht 2300. Mendojmë se me këtë kufi do të jemi në gjendje të mbetemi fleksibël për të përballuar sfida të mundshme," tha zëdhënësi.
Ndryshimi i dytë në mandatin e ardhshëm të ushtarëve gjermanë në Kosovë është përqendrimi i punës së tyre në konsulencën dhe trajnimin e forcave kosovare: "Tani është me rëndësi që një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës të ndihmohen organet kosovare dhe të mbështetet puna e misionit të Eulex-it," - tha Steg më tej.
Vendimi i kabinetit duhet të miratohet tani edhe nga parlamenti gjerman. Mandati i kontigjentit të trupave të KFOR-it u miratua për herë të parë më 11 qershor 1999 mbi bazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Vitin e ardhshëm ai pritet t'u kushtojë taksapaguasve gjermanë rreth 156 milionë euro.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Pandeli Pani