Kosovë: Radoiçiq pranon përgjegjësinë
29 Shtator 2023Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Srpska, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës me 24 shtator në fshatin Banjska, ku vranë një oficer policie. Në një deklaratë për medie, të cilën e lexoi të premten (29.09.2023) avokati i tij Goran Petronijeviç tha, se "Radojҫiq të gjitha përgatitjet i ka bërë i vetëm dhe pa mbështetjen e autoriteteve në Serbi”.
"Unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, thuhet në deklaratë. Më tej theksohet se "Milan Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar ndonjë ndihmë prej tyre”. Duke e "arsyetuar sulmin mbi policinë”, ai thotë në deklaratë se "arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t'i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i nënshtrohen atij terrori”. Në deklaratë ai thotë, se "jep dorëheqje nga posti i tij në Listën Serbe dhe do t'i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Serbisë për t'u marrë në pyetje”.
Policia e Kosovës në koordinim me misionin EULEX dhe KFOR, ndërkaq të premten zhvilloi kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, në kuadër të hetimeve lidhur me ngjarjet e së dielës (24.09.2023) në fshatin Banjska, ku u vra një polic dhe tre sulmues të armatosur. Kontrollet janë kryer kryesisht në pronat e tashmë ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç të cilin autoritetet në Kosovë e identifikuan si prijës të grupit të armatosur që sulmoi forcat e policisë, sulm ky që nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë u cilësua terrorist. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se "policia e Kosovës ka kryer kontrolle në banesën e Milan Radojçiq, në vilën tij në Liqenin e Ujmanit, në një aneks në ngrohtore të Spitalit të Mitrovicës si dhe në shtëpinë e Vladimir Radojeviҫ i njohur me nofkën "Mami”.
"Ne e kemi dëshmuar edhe me pamje dhe me prova të tjera që udhëheqësi i këtij grupi ishte Milan Radojҫiq. Edhe nga pamjet që po shihen, dëshmohet se nuk bëhet fjalë për asnjë ‘luftëtar lirie' por për një Pablo Escobar të rajonit. Nën maskën e mbrojtësit të qytetarëve ai dhe bashkëpunëtorët e tij u bënë multimilionerë në kurriz të ligjit, shtetit dhe qytetarëve të tjerë”, shkroi ministri Sveҫla.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar lidhjet me grupin e armatosur, duke thënë, se "organet përgjegjëse serbe do të marrin në pyetje nënkryetarin e Listës Serbe dhe do të hetojnë ngjarjet e së dielës”.
Për shkak të ngjarjeve të 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku policia e Kosovës u përlesh me një grup personash të armatosur që sulmoi zyrtarët e saj duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër, NATO- vendosi të shtojë praninë e saj në Kosovë. Në një njoftim për media, thuhet se "KFOR-i do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, duke vazhduar të koordinohet "ngushtë me të gjitha palët, në Beograd, në Prishtinë, me misionin EULEX, OSBE-në, UNMIK-un dhe komunitetin diplomatik”.
"U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet ndër të tjera në një deklaratë të forcave paqeruajtëse KFOR.