Tiranë: Arrijnë 19 të riatdhesuar nga kampi “Al Howl”
1 Gusht 2021Riatdhesimi i 14 fëmijëve dhe 5 grave, nga kampi i luftës "Al Howl”në Siri, është operacioni i tretë që ndërmarrin autoritetet e Shqipërisë.
Të riatdhesuarit doli t'i priste sot (01.08) në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza” të Tiranës vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Rama tha se operacioni për nxjerrjen e tyre nga kampi "Al Howl” ishte "i ndërlikuar, me shumë vështirësi dhe rreziqe për jetën.”
Rama: Do ta mbajmë me këmbëngulje zotimin për riatdhesimin
Në kampin "Al Hawl” ndodhen ende te ngujuar një numër ende i paditur grash dhe fëmijësh, prandaj sipas Ramës ky operacion nuk do të jetë i fundit.
Drejtori i Departamentit të Antiterrorit në Policinë e Shtetit, Gledis Nano, tha në një deklaratë për mediat, se numri i saktë i grave dhe fëmijëve në kampin ”Al Howl” nuk dihet pasi ata u fshihen strukturave.
"Një pjesë e burrave dhe djemve që iu bashkuan Shtetit Islamik dhe grupeve ekstremiste islamike janë larguar dhe fshehur në terren, një pjesë tjetër kanë humbur jetën si pasojë e luftimeve. Janë rreth 30 vetë të tjerë, por pjesa më e madhe u fshihen punonjësve që bashkëpunojnë për riatdhesimin e tyre” tha Nano.
Të dhënat e sakta mungojnë
Sipas shifrave zyrtare në kampin "Al Howl” numri i refugjatëve të zhvendosur nga vende të ndryshme ka arritur në rreth 60 mijë vetë, mes tyre gra dhe fëmijë nga familjet e "luftëtarëve të huaj” që u kapën gjatë luftimeve në Siri dhe Irak dhe u sollën në këtë kamp, që administrohet dhe është nën kontrollin e Forcave Demokratike Siriane, (SDF), të mbështetura nga SHBA.
Fëmijët e "luftëtarëve të huaj” të vrarë në luftime, të sjellë në kampin ”Al Howl” janë viktimat e pafajshme të burrave dhe të grave nga Shqipëria apo vende të tjera që u rekrutuan dhe u përfshinë në luftën për të ngritur ISIS.
Sipas shifrave zyrtare Shtetit Islamik (IS) iu bashkuan në periudhën 2012-2014 si "luftëtarë të huaj” 114 vetë nga Shqipëria iu bashkuan. Prej tyre rreth 40 janë kthyer, 20 janë vrarë dhe për pjesën tjetër nuk ka të dhëna.