Rama në Bruksel: ”Fillimi i fundit” drejt anëtarësimit në BE
19 Korrik 2022Komisioni Europian (KE) si dhe Shqipëria e Maqedonia e Veriut hapjen e negocitave ndërqeveritare (19.07) në Bruksel e vlerësojnë ngjarje historike në rrugëtimin e tyre drejt BE-së.
Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë në Tiranë, në konferencën e përbashkët në Bruksel, Presidentja e KE, Ursula von der Leyen u tha tre kryeministrave: Petr Fiala, të Çekisë, vendit që ka presidencën e BE, Dimitar Kavacevskit të MV dhe Edi Ramës të Shqipërisë se ata kishin” treguar durim strategjik me bollëk."
"Ky është një moment historik, ky është suksesi juaj si qeveri, i qytetarëve dhe popullit tuaj që keni punuar kaq shumë për të arritur këtu dhe keni treguar jashtëzakonisht shumë përkushtim për vlerat tona,” citohet të ketë thënë në Bruksel Presidentja e KE, Ursula von der Leyen.
Ajo prezantoi edhe perspektivat që i hapen Shqipërisë dhe MV me fillimin e procesit të negociatave të anëarësimit në BE.
"Do të ketë rritje të investimeve, do të ketë bashkëpunime të ndryshme në fusha kyçe si energjia dhe transporti. Ju do të maksimizoni impaktin e fondeve të BE-së që do të thotë punësime të reja, mundësi të reja e pikërisht për këtë kanë pritur kaq gjatë qytetarët tuaj dhe këtë meritojnë”, citohet të ketë thënë ajo.
Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala , theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp, se "E ardhmja evropiane është brenda mundësive të Shqipërisë dhe MV.
"Ju uroj rrugën më të shpejtë të mundshme", tha ai.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti fillimin e procesit të negociatave ”fillimin e fundit” drejt anëtarësimit në BE.
"Ne na duhet të ngremë dhe ndërtojmë një Shqipëri europiane dhe të fortë dhe një Ballkan të Hapur perëndimor, të fortë dhe demokratik”, theksoi ai.
Kovaçevski, kryeministri i MV, vendit që nisi tashmë procesin e bisedimeve pas 17 vitesh pritjeje, në fillim për shkak të shkak të mosmarrëveshjeve me Greqinë për emrin dhe vitet e fundit me Bullgarinë për çështje të identitetit dhe gjuhës, e quajti fillimin e procesit të negociatave", hapje të perspektivës së re për MV dhe qytetarët e saj, që do t'i bashkohen me siguri familjes së madhe europiane, që ka qënë qëllimi i tyre strategjik prej vitesh”.
BE i ka premtuar gjashtë vendeve të BP: Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë pranimin në bllokun më të madh në botë, pasi të përmbushin reforma të thella ekonomike, politike, ushtarake, sociale dhe ligjore.