Raport i Bankës Botërore mbi zhvillimet ekonomike në rajon
22 Nëntor 2011Në një raport të sapopublikuar të Bankës Botërore mbi zhvillimet ekonomike në rajon thuhet se gjatë këtij viti programi i anëtarësimit në BE ka drejtuar reformat në këto vende dhe përmirësuar perspektivën e anëtarësimit.
Fjala është për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën, gjashtë vendet, që aspirojnë integrimin europian. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore rritja ekonomike e këtyre vendeve këtë vit do të jetë rreth 2,5 % dhe në vitin e ardhshëm 2012-ën do të jetë 2,1 %. Para fillimit të krizës në vitin 2008 rritja ekonomike në këto vende ishte nga 6-10% . Kjo ulje e rritjes ekonomike shpjegohet kryesisht si pasojë e efekteve të krizës financiare në eurozonë, të cilat pritet të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm. Kanalet kryesore të transferimit potencial të krizës financiare nga vendet e eurozonës tek gjashtë vendet e Europës Juglindore janë tregtia, investimet e huaja direkte, bankat dhe remitancat. Kështu partneret më të rëndësishme tregtare për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën janë vendet e BE-së dhe sidomos ato të Eurozonës vë në dukje raporti i Bankës Botërore. Shkëmbimet tregtare me BE zënë rreth 30-50% të produktit të brendshëm bruto të këtyre vendeve. Ndërkohë që BE përbën edhe burimin më të madh të investimeve të huaja direkte në këto vende. Po kështu edhe prania e bankave të huaja në Ballkanin Perëndimor është shumë e lartë, rreth 89 përqind e gjithë aktivitetit bankar, që zhvillohet në këto gjashtë vende. Dhe së fundi BE-ja është burimi më i rëndësishëm i remitancave (dërgesave të emigrantëve) për rajonin. Të gjitha këto kanale transmetimi do të ndikohen nga thellimi i tensioneve ekonomiko-financiare të BE-së dhe Eurozonës, parashikon Banka Botërore.
Thellimi i procesit të integrimit europian - modeli më i mirë afatgjatë për rritjen ekonomike
Por pavarësisht nga ky parashikim Banka Botërore beson se thellimi i procesit të integrimit të Shqipërisë, Bosnjë- Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës në BE mbetet modeli më i mirë për nje rritje ekonomike afatgjatë të këtyre 6 vendeve. Kjo do të thotë që në të ardhmen rritja ekonomike do të mbështetet tek investimet, rritja e kapaciteteve prodhuese dhe e konkurrueshmërisë. Integrimi progresiv i ekonomive të këtyre gjashtë 6 vendeve të Evropës Juglindore me ato të BE do të thotë gjithashtu rritje e bashkëpunimit rajonal dhe e eksporteve pasi BE zë 58,2 përqind të totalit të eksporteve nga këto vende. Sipas Bankës Botërore përqindjen e luanit e ka Gjermania dhe Italia. Ndërsa tregtia me vendet e rajonit zë vetëm 22 përqind. Ksenia Lvovski, përfaqësuese e Bankës Botërore në Shqipëri, e konsideron bashkëpunimin rajonal shumë të rëndësishëm për të përshpejtuar ritmet e integrimit europian dhe për pasojë edhe shanset e rritjes ekonomike: "Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm dhe duhet bërë në nivele të ndryshme. Mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka ngjashmëri.
Ka përfitime të mëdha, që vijnë nga transferimi i teknologjive dhe shkëmbim i përvojave mes këtyre vendeve", thote Ksenia Lvovski.
Roli i arsimimit dhe i aftësive profesionale në rritjen ekonomike
Në raportin e Bankës Botërore për zhvillimet ekonomike në Shqipëri, Bosnjë- Hercegovinë, Maqedoni, Malin e Zi, Serbi dhe Kosovë konstatohet niveli i i ulët i aftësive profesionale te popullsise se afte per pune. Sipas këtij raporti në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë 10 përqind e popullatës në moshë pune nuk kanë mbaruar arsimin fillor, ndërsa në Shqipëri dhe Maqedoni 6 përqind, në Malin e Zi 6, 3 përqind dhe 1 përqind në Serbi. Për përfaqësuesen e Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenia Lvovski, arsimimi dhe formimi profesional është një investim i rëndësishëm për rritjen ekonomike të këtyre 6 vendeve: "Banka Botërore beson se investimi në arsimim është një nga më të rëndësishmit që një qeveri mund të bëjë për të plotësuar nevojat specifike, që kërkon zhvillimi i vendit dhe rritja ekonomike. Rritja e pjesëmarrjes në shkolla dhe universitete duhet shoqëruar me cilësi, pasi kjo lidhet ngushtë me integrimin europian, rritjen ekonomike dhe ngritjen e një ekonomie moderne", thotë Ksenia Lvovski.
Viti 2011 ka përmirësuar përspektivën e anëtarësimit në BE
Në raportin e saj BB konstaton gjithashtu që gjatë vitit 2011 programi i anëtarësimit në BE ka drejtuar reformat në Malin e Zi dhe në Serbi. Ndërkohë që progresi në procesin e anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën është me shumë rëndësi, vëren raporti. Progresi i Shqipërisë drejt integrimit në BE ka ngelur në vend gjatë ketij viti, ndërsa situata e tejzgjatur e pazgjidhur politike në Bosnje-Hercegovinë ka çuar në vonesa të mëtejshme në aspektin e reformave strukturore.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Angjelina Verbica