Refugjatë të harruar në Bosnjë
16 Maj 2012Një zonë e qetë, me shtëpi lyer me bojë të bardhë, kopshte të vogla dhe tela për të varur rrobat para parvazëve të dritareve: Drafniçi në verilindje të Bosnjes duket thuajse idilik. Por pamja të mashtron. Këtu jetojnë sidomos gra të moshuara të cilat nuk e kanë zgjedhur vullnetarisht këtë vend: ato janë refugjate lufte, të cilëve burrat dhe bijtë u janë vrarë. Të huajt vijnë rrallë në Drafniç. Po nëse vjen dikush, gratë kanë kohë për të biseduar me të. Mysafirit i ofrohet një kafe tradicionale boshnjake, e zezë, me sheqer - se njerëzit aty besojnë se të bën mirë për zemrën.
Megjithëse 73 vjeç Aisha Hukiç është gjithnjë në lëvizje. Ajo është mësuar ta bëjë gjithçka vetë - për shkak se i shoqi i vdiq i ri. Në fshatin e saj Sase, afër Srebrenicës, ajo jetonte para luftës e vetme me pesë djemtë dhe një vajzë.
Në vitin 1992, ushtria e serbëve të Bosnjës nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç u përpoq të pushtonte lindjen e Bosnjës dhe ta dëbonte popullatën lokale myslimane. Papritmas fshati u gjend në vijën e frontit. Aishen e çuan në një kamp internimi, fëmijët ikën në Srebrenicë.
"Një muaj rrjesht nuk kisha ujë ose për të larë as për të pirë. Më rrihnin, ishte shumë e vështirë ta duroje." - tregon Aisha Hukiç.
Kur u kthye në shtëpi, askush nuk e priste më. Të pesë djemtë ishin vranë brenda dy muajve të luftimeve rreth Srebrenicës. Në korrik 1995, trupat e Mlladiçit e pushtuan Srebrenicën dhe masakruan rreth 8000 burra dhe djem myslimanë. Aishes iu desh të largohej nga qyteti. Së bashku me të bijën Hajra e saj dhe të nipin Fuad ata u vendosën në një kampin e refugjatëve Drafniçi. Edhe sot 17 vjet më vonë këto dy gra jetojnë ende këtu.
Ndërkohë djali Hajras është rritur, dhe ajo vetë punon në furrën lokale. Por të kaluarën nuk mund ta harrojë: "Unë kurrë nuk do t'i harroj vëllezërit e mi, kurrë nuk do të harroj se çfarë ka ndodhur. Më morën fëmijërinë. Unë s'ka arritur gjë në jetë." Harja nuk mund ta falë ish-gjeneralin serb Ratko Mlladiç: "Tribunali i Hagës nuk duhet ta lejojë që të ketë një avokat, ai duhet të marrë dënimin më të lartë. Dhe kjo duhet të bëhet publike në mënyrë që të gjithë ta dinë dhe që e gjitha të marrë fund".
Jeta në kampin e refugjatëve është një e përkohshme e përhershme. Njerëzit jetojnë prej donacioneve të organizatave humanitare dhe një ndihme sociale modeste. Fshati nuk ka rrugë të shtruara dhe ujë të rrjedhshëm. Por dy gratë nuk duan të kthehen në Srebrenicë.
Megjithatë plani i Ratko Mlladiç për një Srebrenicë "të spastruar etnikisht" nga muslimanët nuk doli. Sot në qytetin lindor boshnjak jetojnë përsëri muslimanë. E ndërsa gjykata në Hagë përpiqet për të gjykuar për fajësinë e ish-gjeneralit, shumë njerëz në Bosnje vazhdojnë të luftojnë me pasojat e fushatave të tij.
Procesi kundër gjeneralit Ratko Mlladiç, të njohur edhe si "kasapi i Ballkanit" është një ndër të fundit përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Ish-shefi ushtarak i serbëve të Bosnjës akuzohet për krime lufte dhe gjenocid. Ai donte të "spastronte etnikisht" pjesë të Bosnjës dhe t'ia bashkonte ato Serbisë. Rezultati qenë vrasje dhe dëbimi i qindra mijëra muslimanëve.