Rinia e mahnitur nga Kombet e Bashkuara
20 Korrik 2011Kombet e Bashkuara si hobi? Gerrit Kurtz i njeh shikimet pyetëse, që shkakton ndërkohë tema e tij e preferuar. Që kur ka kryer maturën, 25-vjeçari angazhohet vazhdimisht për organizatën botërore dhe me përkushtim të madh. "Të dielën kanë qenë shtatë orë", thotë studenti nga Berlini si rastësisht. Reagimet e habitura përreth tij ai i largon me një buzëqeshje diplomatike. Për Gerrit Kurtz nuk ka asgjë më interesante se politika e madhe botërore, që bëhet në OKB në Nju Jork.
"Fakti që të gjitha shtetet takohen së bashku, pavarësisht nëse ato kanë marrëdhënie diplomatike apo jo, nëse ata janë armiq apo jo, dhe flasin dhe thumbojnë njëri-tjetrin - edhe në qoftë se vetëm në një korridor anësor - është interesante, një mundësi e tillë nuk ekziston përndryshe", thotë ai.
Simpatizantë të rinj në gjithë Gjermaninë
Me entuziazmin e tij për Kombet e Bashkuara Gerrit Kurtz nuk është i vetëm. Ai është anëtar i JUNON, rrjetit rinor të OKB-së për Gjermaninë. Nën kujdesin e Shoqatës, angazhohen disa qindra të rinj, të përfshirë në grupe të ndryshme pune. Për Kurtz e gjitha filloi si një lojë: Ai mori pjesë në një konferencë, në të cilën të rinjtë simulonin bisedime të Kombeve të Bashkuara. Ata vendoseshin në rolin e diplomatëve nga vendet e huaja dhe paraqisnin pozicione të pazakonta. Nga Kombet e Bashkuara mund të mësohet shumë, thotë studenti i përzemërt me syze e me flokë ngjyrë kafe: "Kjo ndjenjë, kjo empati, mund të ketë ndoshta pasoja jo vetëm për të kuptua politikën dhe të proceset politike, por edhe marrëdhëniet njerëzore. Kjo është një aftësi, që kërkohet kudo. Kjo është shumë e rëndësishme."
Të mësosh nga OKB-ja
Disa ditë zgjasin këto konferenca, që quhen "Model United Nations". Gerrit Kurtz mban mend mirë se si ka negociuar në rolin e një diplomati indian lidhur me importin e armëve të lehta. Këtë temë ai e ka hulumtuar, si dhe shumë të tjerë, në fund ai ka organizuar vetë konferenca të tëra. Ai është shumë i kënaqur, kur sheh se si të rinjtë mësojnë të negociojnë nga shembulli i OKB-së. "Kjo të jep kënaqësi!"
Gerrit Kurtz është sot në gjendje të argumentojë në mënyrë të diferencuar, të prezantohet me diplomaci dhe të menaxhojë projekte, edhe si rezultat i simpatisë së tij për Kombet e Bashkuara. "Unë kam fituar aftësitë kryesore për jetën time profesionale", thotë ai, "dhe shumë miq." Organizatën botërore ai e ka parë sigurisht edhe nga brenda, me një stazh në Nju Jork.
Njohja nga afër me OKB-në
"Aty janë të gjithë politikanët kryesorë. Obama, Ahmadinexhad, Merkel, Barroso, të gjithë kalojnë pranë teje dhe atëherë i sheh të flasin në sallën në Asamblenë e Përgjithshme. Kam qenë edhe në Këshillin e Sigurimit, kur është mbledhur. Kjo është një eksperiencë emocionuese, është gjë e madhe!", pohon ai.
Dobësitë e organizatës botërore nuk i kanë shpëtuar simpatizuesit të OKB-së, për të cilin rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë një mësim i mirë: OKB-ja është një monstër burokratike. Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, i mungojnë vizionet dhe Këshilli i Sigurimit me siguri që nuk do të reformohet rrënjësisht në një të ardhme të afërt. "Do të ishte mirë, sikur të gjitha shtetet të mund të zbusnin pak karakteristikat e tyre kombëtare. Do të kishte rëndësi, sikur institucioni të fitonte më shumë pushtet, sikur sekretari dhe administrata të ishin më shumë në rolin e vepruesit .."
Pa OKB nuk bën
Nëse ai dëshiron të punojë dikur më vonë në Kombet e Bashkuara, të cilat ai e njeh aq mirë? "Ndoshta," thotë Gerrit Kurtz, "por atëherë diçka praktike në terren dhe jo punë administrative në sekretariatin në Nju Jork." Së pari, studenti nga Berlini, do të kryejë masterin në 'Marrëdhëniet Ndërkombëtare” dhe sigurisht të vazhdojë të ndjekë se si zhvillohet OKB-ja. "Kjo është e vetmja organizatë me anëtarësi universale, e cila ka një legjitimitet të tillë," përmbledh Kurtz, jo pa entuziazëm, "kjo është alternativa e vetme."
Autor: Nina Werkhäuser/Angjelina Verbica
Redaktoi: Bahri Cani