Roli i SHBA prej ndërtimit deri në rënien e Murit të Berlinit
13 Gusht 20121961: në gjashtë muajt e parë të vitit largohen nga RDGJ mbi 150 mijë vetë
Më 13 gusht të vitit 1961 Berlini Lindor filloi bllokimin e RDGJ nga Perëndimi. Ngritja e murit të Berlinit ishte pjesë e kësaj mase. Bashkimi Sovjetik dhe Republika Demokratike Gjermane - RDGJ nuk dinin si të vepronin ndryshe për të penguar valën e refugjatëve nga Gjermania Lindore për në Perëndim. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 1961 u larguan nga RDGJ mbi 150 mijë njerëz. Në vitet e mëparshme ishin larguar mbi tre milionë. Shpesh ishin të rinj me kualifikime të larta ata të cilët i kthenin shpinën socializmit në tokën gjermane.
Për presidentin Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan me gjakftohtësi. Për presidentin Xhon F. Kenedi ngritja e bllokadës nuk përbënte shkak për luftë. Tri themelet e politikës së tij ndaj Gjermanisë mbetën të paprekura nga ngritja e Murit: qarkullimi i lirë në Berlin, prania e fuqive perëndimore ne qytet si dhe liria e popullit në Berlinin Perëndimor.
Për të demonstruar prani, Kenedi dërgoi në qytetin e ndarë gjeneralin Lukjus Klei (Lucius Clay), heroin e urës ajrore të Berlinit në vitet 1948/49 dhe nënpresidentin Lindon B. Xhohnson. Ai vetë e vizitoi për herë të parë në vitin 1963 Republikën Federale të Gjermanisë. Para ndërtesës së bashkisë Shëneberg (Schöneberg) ai mbajti më 26 qershor para qindra-mijëra njerëzve një fjalim mbi Murin dhe lirinë. Në këtë vend ai i shqiptoi fjalët që u futën në histori:
"Unë jam një berlinez".
Karizma e presidentit Kennedy i pajtoi berlinezët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e Murit ndarës shumë kishin pritur një angazhim më të madh të SHBA. Megjithatë administrata e Kenedit si dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ndodhej në prag të një lufte atomike.
"Checkpoint Charlie": tanke amerikane përballë tankeve sovjetike
Kjo u bë e qartë në tetor të vitit 1961. Atëherë bashkëpunëtorët e administratës amerikane u penguan të hynin në sektorin lindor. Në pikëkalimin kufitar "Checkpoint Charlie" shkuan në mënyrë demonstrative tanke amerikane. Përballë tyre ndodheshin tanket sovjetike. Në fund të dyja palët i tërhoqën ushtarët e tyre. Megjithatë amerikanët ia bënë të qartë botës se do t'i mbrojnë të drejtat e tyre në qytet.
Presidenti Kenedi: përderisa do të jetë në interesin e Bashkimit Sovjetik do të ketë dy shtete gjermane
Marrëdhënia midis presidentit amerikan Kenedi dhe kancelarit të atëhershëm gjerman Konrad Adenauer, të paktën në fillim nuk ishte krejt pa tensione. Adenaueri, atëherë në moshë 85 vjeçare dhe me botëkuptime konservatore ishte skeptik ndaj presidentit amerikan, që sapo kishte mbushur të 40-tat dhe njihej si liberal. Kenedi ishte pragmatik. Përderisa do të jetë në interesin e Bashkimit Sovjetik do të ketë dy shtete gjermane, tha ai publikisht në fillim të presidencës së tij. Pas kësaj deklarate qeveria federale nuk e kishte të lehtë të ndiqte një politikë të ribashkimit. Si pasojë Adenaueri filloi në fillim të viteve '60 të afrohet me Francën. As kjo nuk i pëlqeu Uashingtonit.
Megjithë mosmarrëveshjet: Gjermania mbeti aleati kryesor i Amerikës në Evropë
Edhe në vitet pasuese në marrëdhëniet gjermano-amerikane u shfaqën dallime në qendrime dhe mosmarrëveshje. Megjithatë të dyja palët zakonisht gjenin një kompromis. Gjermania ishte dhe mbeti aleati kryesor i Amerikës në Evropë. Presidentët amerikanë vizituan rregullisht Berlinin. Në shkurt të vitit 1969 ishte Riçard Niksoni ai që e vizitoi qytetin e ndarë, në qershor të vitit 1978 ishte Xhimi Karter.
Pak kohë pasi sekretari i përgjithshëm sovjetik, Mihail Gorbaçov paralajmëroi një politikë të re ndaj Perëndimit, presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Regan më 12 qershor të vitit 1987 udhëtoi për në Gjermani. Nëse Gorbaçovi dëshiron paqe, mirëqenie për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse ai dëshiron më shumë liri atëherë duhet të hapë Murin, u shpreh Regani në Portën e Brandeburgut para disa dhjetëra-mijëra berlinezëve.
Më 9 nëntor të vitit 1989 u rrëzua muri i Berlinit. Sërish ishte një president amerikan, Xhorxh Bush i cili doli në skenën ndërkombëtare si avokat i Gjermanisë dhe mbështeti procesin e ribashkimit.