Rreth 80 miliardë euro hua të reja - Ministri gjerman i Financave Wolgang Schäuble paraqet buxhetin për vitin 2010
17 Mars 2010Ministri gjerman i financave, Wolfgang Schäuble theksoi vullnetin e koalicionit për një kurs strikt kursimesh. Politikani kristiandemokrat, e cilësoi marrjen e planifikuar të huave të reja prej më shumë se 80 miliardë eurosh si "të tepruar". Sipas tij, shteti duhet të tërhiqet ngadalë nga programet e ndihmës për ekonominë.
Ai sapo është shëruar nga një operacion, tani duhet sërish të bëj një punë të rëndë. Kjo për faktin se buxheti rekord i borxheve për vitin 2010 përbën një sfidë për ministrin e financave Wolfgang Schäuble. Në mes të krizës financiare Gjermania duhet të marrë aq shumë kredi si asnjëherë më parë.
"Për ne është e rëndësishme dhe buxheti i vitit 2010 të cilin unë u rekomandoj ta pranoni ka në konsideratë edhe shumat që japim ne, në mënyrë që të jemi në gjendje të japim kontributin tonë në rrafshin evropian dhe mbarëbotëror për një zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet të qëndrueshëm financiar."
Projektbuxheti për vitin 2010 parasheh gjithsej 319,5 miliardë shpenzime. Këto janë gati nëntë përqind më shumë se në vitin e kaluar. Huat e reja do të kapin shumën e 80 miliardë eurove. Një rekord i trishtuar.
Ndërkaq opozita mendon se qeveria është fajtore për lartësinë e huave të reja. Ajo beson që është dashur të kursehet më shumë. Eksperti i Partisë Socialdemokrate (SPD) për buxhetin, Carsten Schneider, tha se qeveria ka ndarë dhurata të kushtueshme për trashëgimtarë të pasur, pronarë hotelesh dhe bujq. Në vend të kësaj do të kishte qenë më mirë të reduktohej marrja e kredive.
"Ajo çfarë bëjnë ata është shpërndarja e dhuratave për klientelën e tyre elektorale. Kjo nuk ka të bëj asgjë me të mirën e përbashkët, me gjendjen ekonomike, me stimulimin e ekonomisë në gjendje të rëndë", tha Schneider i cili po ashtu theksoi se: "Ky koalicion e ka rrënuar vendin ende pa nisur siç duhet nga puna. Mosbesimi në koalicion është i gjithëpranishëm, qytetarët nuk kanë më besim në këtë trup kaosi të vetkundërthënieve permanente. Ky vend meriton një qeveri më të mirë".
Eksperti socialdemokrat Schneider është kundërshtuar nga Norbert Barthle, ekspert për çështjen e buxhetit i Unonit Kristiandemokrat: "Menjëherë dua të theksoj këtu, që bashkëpunimi brenda këtij koalicioni kristian-liberal ka qenë shumë konsktruktiv dhe në harmoni të plotë - nga zënkat nuk kishte asnjë gjurmë. Dhe zonja e zotërinj, në këto konsultime ne arritëm të paraqesim një vepër të përgjithshme arti", tha Norbert Barthle.
Megjithatë kritikat e opozitës nuk janë problemi më i madh për ministrin Schäuble. Në fund të majit ai do të konsultohet me kolegët e tij ministra rreth planeve të tij për kursimet e ardhshme në vitin 2011 dhe atëherë do ta ketë shumë vështirë.
Autor: Alex Maenz / Phoenix / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama