131011 Konjunkturprognosen
14 Tetor 2011Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Fondin Monetar Ndërkombëtar, OECD-në, Institutet e Kërkimeve Ekonomike, bankat apo Këshillin e "Burrave të Mençur" të ekonomisë në Gjermani: të gjithë këta formulojnë disa herë në vit parashikimet e tyre për zhvillimin konjukturor të një vendi. Natyrisht që në përcaktimet konjkturore ka pasaktësi. Sepse ka ngjarje që nuk mund të parashikohen. Këtu bëjnë pjesë katastrofat natyrore, ashtu si edhe atentatet terroriste si dhe krizat ekonomike. Ja që e ardhmja, shprehet shefi i Shoqatës Federale të Tregtisë me Shumicë dhe të Jashtme Gjermane, Anton Börner, mund të parashikohet vetëm me vështirësi. Sipërmarrjet e shoqatës së tij janë të parat që e ndiejnë ftohjen e ekonomisë botërore:
"Është interesante të dëgjosh se cfarë mendojnë sipërmarrësit, çfarë mendojnë shkencëtarët, çfarë mendojnë matematikanët, çfarë mendojnë financierët për të ardhmen. Dhe këtu mund të nxjerrësh edhe përfundimet e tua. Ne të gjithë jemi të varur nga informacionet, jemi të varur edhe nga emocionet. Rezultati, ose rezultati i ekonomisë botërore është gjithmonë një shumë e vendimeve të veçanta. Dhe natyrisht që është një element pasurues, kur dëgjon shumë parashikime."
Viti 2001 është një shembull për gabimet e parashikimeve. Në fillim të vitit, shkencëtarët mendonin se Gjermania do të kishte një rritje ekonomike prej deri tre përqind. Pas kësaj puna eci tatëpjetë. Në fund të fundit,ekonomia shënoi një rritje prej 0,6 përqind në krahasim me një vit më parë. Shkaqet: gjendja ekonomike u përkeqësua për shkak të shokut të çmimit të naftës, për shkak të dobësisë konjukturore të SHBA dhe të atentateve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork. Të ashtuquajturat shoke që vijnë nga jashtë nuk mund të parashikohen. Studiuesit e konjukturës nuk janë orakuj, thotë Rolf Kroker, nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Këln:
"Por natyrisht, në fushën e tyre specifike të dijeve, pra pikërisht përsa i përket vëzhgimit konjukturor dhe prognozës konjukturore ata duhet të kenë dije speciale. Shkencëtari duhet të dijë se çfarë efekti do të ketë një konjukturë në SHBA ose në Francë ose në Kinë ndaj konjukturës gjermane. Ai duhet të njohë ndërthurrjet tregtare dhe shumë më tepër. Kështu, në fushën e tij të specializimit ai duhet të ketë pak më shumë dije dhe të jetë më i zgjuar se të tjerët."
Megjithatë, në çdo prognozë duhet të ndërthuren edhe ndryshime institucionale dhe strukturore. Studiuesit e konjukturës nganjëherë nuk qëllojnë në shenjë. Por në përgjithësi, puna e tyre duhet vlerësuar si e mirë.
Redaktor: Monika Lohmüller/ Auron Dodi
Redaktoi: E. Xhani