Salafistë boshnjakë në Siri
1 Shkurt 2014Prej muajsh qarkullojnë në mediet e Bosnjë dhe Hercegovinës informacione për salafistë të pavarur, pra myslimanë të radikalizuar, që shkojnë në Siri për të luftuar atje "në luftën e shenjtë", siç e quajnë ata. Sipas shërbimeve të ndryshme të fshehta, mendohet se ka 100 deri 150 salafistë nga Bosnja dhe Hercegovina, që kanë shkuar në Siri, thotë gazetari dhe njohësi i skenës nga Bosnja dhe Hercegovina, Esad Heçimoviç. Prej tyre dhjetë deri 15 vetë e kanë humbur jetën. Ministria e Brendshme thotë se janë 60 salafistë, që kanë shkuar nga Bosnja në Siri. Por numri i përgjithshëm i myslimanëve radikalë nga Ballkani Perëndimor, që kanë shkuar në luftën e Sirisë duhet të jetë shumë më i lartë. Shërbimet e fshehta flasin për 140 salafistë të tjerë.
Radikalizim përmes luftës
Një interpretim i rreptë dhe konservator i kuranit, tipik për salafizmin ose vahabizmin, nuk i ka rrënjët në traditën e fesë islame në Bosnjë dhe Hercegovinë. Myslimanët e Bosnjës, të njohur edhe si boshnjakë, janë në shumicën e tyre sunitë dhe i takojnë shkollës hanafitase, e cila njihet si tepër e hapur dhe gatshme për dialog. Një karakteristë e Bosnjë-Hercegovinës është edhe struktura e organizimit të myslimanëve në "Bashkësinë Islame Bosnjë dhe Hercegovinë", me një myfti të madh në krye.
Por zhvillimet në BH në fillim të viteve '90 kanë sjellë një zhvillim të ri. Nën përshtypjen e rrethimit dhe të përndjekjes, tek disa boshnjakë ndodhi një proces radikalizimi. Njëkohësisht nisi një ardhje e myslimanëve fundamentalistë nga bota e jashtme, shpesh nga vendet arabe. 2000 luftëtarë thuhet se ishin, midis tyre edhe të tillë me lidhje me Osama bin Ladenin. "Këta ishin nga njëra anë luftëtarë, që donin të ndihmonin në mbrojtjen e myslimanëve. Nga ana tjetër ata ishin bashkëpunëtorë të organizatave të ndryshme ndihmëse ose të përfaqësive diplomatike dhe fondacioneve kulturore", thotë Igor Tabak, ekspert për sigurinë i portalit kroat në Internet, Obris.org. Ata sollën me vete këndvështrime të reja të fesë islame dhe i përhapën ato.
Ndryshime në shoqëri
Pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, në dimër 1995 dhe fundit të luftës, disa prej këtyre islamistëve vendosën të jetojnë në Bosnjë dhe morën pasaporta boshnjake. Ata rekrutuan të rinj, si pasardhës fetarë, ndërtuan xhami të reja me ndihmën e fondacioneve saudite dhe iu kushtuan përhapjes së drejtimit vahabit të fesë islame.
Ky angazhim solli edhe fryte - ndërkohë është shënuar një ndryshim kulturor në shoqërinë boshnjake. Feja është shumë më e pranishme në jetën e përditshme. Pjesë të popullatës sot kremtojnë festa shtesë fetare, që nuk i kanë kremtuar më parë dhe ndërkohë në rrugë sheh edhe gra të mbuluara krejtësisht me çarçaf. I gjithë perceptimi i rolit të fesë islame në shoqëri ka ndryshuar, thotë Tabak.
Persona të rrezikshëm që kthehen
Një rrezik veçanërisht të madh për BH, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor paraqesin ata salafistë, që kthehen nga lufta në Siri. Ata kanë marrë përgatitje në luftë, janë radikalizuar edhe më tej në pikëpamje ideologjike dhe kanë kontakte të mira ndërkombëtare, thotë eksperti i sigurisë Igor Tabak. "Ekziston frika, se ata që kthehen mund të krijojnë grupe terroriste, të cilat mund të sulmojnë pastaj politikanë të caktuar ose gazetarë kritikë."