Seehofer në kongresin e CDU-së: 'Kryesorja të ndodhë'
16 Dhjetor 2015"Llogaritë në fund bëhen me numrin e refugjatëve", paralajmëroi shefi i CSU-së, Horst Seehofer në fjalimin e tij të pritur me vëmendje në kongresin e CDU-së në Karlsruhe. Nëse e quan këtë kufi të sipërm, kontigjent ose reduktim, kjo ndoshta ka rëndësi për gjuhëtarët, tha ai. Por popullit i intereson a do të reduktohet numri i refugjatëve - dhe a do të bëhet kjo së afërmi. Në Bavari, që prej verës vijnë shumica e refugjatëve, përditë vazhdojnë të kalojnë kufirin, paralajmëroi ai.
"Xhaxhai i mençur" nga Bavaria
CSU-ja nga Bavaria, partia simotët e CDU, luan përsa i përket politikës së azilimit dhe të refugjatëve rolin e paralajmëruesit të parehatshëm - dhe besohet se do ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Shumë nga ato që janë vendosur në federatë, kanë të bëjnë me iniciativa bavareze. Në kongresin e fundit të partisë, Seehoferi e teproi - dhe i tregoi publikisht vendin Merkelit. Këtë, shumë vetë në CDU ja morën për keq.
Fjala e përshëndetjes e Seehoferit ishte e gjatë, jo e zakontë për të, zgjati 50 minuta. Ai kërkon të thotë ato që ka për t'i thënë. Landin e tij, Bavarinë, ai e përshkroi shpesh si model, gjë që sipas mendimit të tij i jep atij të drejtën t'u japë këshilla të tjerëve. Duartrokitjet pas fjalës së tij ishin të konsiderueshme, por jo më tepër, Standing Ovation qenë të pakta. 1000 delegatët megjithatë e dëgjuan me vëmendje, në mënyrë të pazakontë në sallë ishte qetësi gjatë fjalës së tij.
Kur do të ulet numri i refugjatëve?
Një pasiguri e madhe megjithatë mbetet - megjithë bashkimin e radhëve në parti për shkak të kompromisit në "deklaratën e Karlsruhes" dhe të shumicës tepër të madhe në mbështetje të deklaratës. Një kryetar bashkie tregoi, se nganjëherë ai dëshiron që në vend të refugjatëve të ndodhë një përmbytje e Elbës. Në këtë rast të paktën e di se çfarë e pret njeriun, çfarë mund të bëhet dhe se kur do të përfundojë e gjitha.
Seehoferi paralajmëroi që të merren seriozisht shqetësimet e njerëzve. Ai e përshkroi rrezikun e një radikalizimi në rritje të politikës. Prandaj problemet nuk duhet të spostohen, por duhet të zgjidhen, tha ai. CDU dhe CSU sipas tij kanë një përgjegjësi të dyfishtë: nga njëra anë përballë refugjatëve, por edhe përballë popullit në Gjermani.
Doping për Merkelin
Për këtë qartësi në përshkrimin e krizës së refugjatëve, CDU/CSU muajt e fundit zhvilluan shumë debate. Kongresi i partisë u bëri mirë të gjithëve, tha Merkeli në fjalën e saj të mbylljes, pas shumë muajsh u gjetën pozicione të përbashkëta në temat e refugjatëve dhe të integrimit. Po më tej si do të bëhet? Kancelarja mori mbështetje të madhe në Karlsruhe. Kjo është e rëndësishme për takimin e nivelit të lartë në Bruksel. Prej së enjtes (17.12) atje do të flitet për zgjidhjet evropiane, të shpresuara prej Merkelit në krizën e refugjatëve.