050411 Elfenbeinküste 2 Machtkampf
5 Prill 2011Pas qëndrimit dhjetë vjet në postin e presidentit, Gbabgo tani refuzon të largohet nga presidenca. Nga luftimet po vuajnë gjithnjë e më shumë civilët prandaj sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon kërkoi nga ushtarët e misionit të atjeshëm paqësor që të sulmojnë trupat e Gbagbos.
Në Bregun e Fildishtë ka filluar beteja vendimtare për pushtet: kryeqyteti Abixhan është përfshirë nga luftime të ashpra. Trupat e presidentit të zgjedhur Ouattara kanë depërtuar në qytet dhe po luftojnë me mbështetjen ndërkombëtare.
Helikopterë të Kombeve të Bashkuara dhe ushtarët francezë kanë filluar të qëllojnë kundër njësive të presidentit që ka humbur zgjedhjet, Gbagbo. Pas pak kohe trupat e Ouattares njoftuan për sukseset e para: marrjen nën kontroll të residencës së presidentit. Pak kilometra më larg në pallatin presidencial u barrikadua Gbagbo. Ndërtesa ka ditë që po mbrohet e rrethuar nga ithtarët e tij. Në televizionin shtetëror Gbagbo u shfaq herën e fundit si fitimtar. Se ku ndodhet ai aktualisht mbetet e paqartë. Së bashku me ofensivën po vështirësohet edhe gjendja e njerëzve në Abixhan, qysh tani vërehet mungesa e ushqimeve.
"Unë isha në të gjitha dyqanet por nuk gjeta asgjë për të blerë. Dhe tregtarët po e shfrytëzojnë gjendjen dhe po kërkojnë çmime shumë të larta."
"Ne e urrejmë këtë gjendje. Thjesht nuk mund të vazhdojmë më kështu."
Një milione ivorianë ndodhen në arrati nga lufta qytetare. Edhe vendet fqinje si Liberia ndodhen në prag të një krize humanitare, me refugjatët e rinj nga Bregu i Fildishtë gjendja do të përkeqësohete dhe atje.
Autor: Anja Brockmann/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama