Serbi: Vota e të rinjve në zgjedhjet parlamentare
18 Nëntor 2023Rreth 150 mijë të rinj serbë kanë për herë të parë këtë vit të drejtë vote. Të rinjtë e shoqatës së nxënësve "Edhe ne i bëjmë pyetje vetes” duan të kontribuojë për të ardhmen e vendit të tyre dhe kanë përveshur mëngët për të inkurajuar sa më shumë bashkëmoshatarë të tyre të votojnë dhe ta ndjekin këtë thirrje.
"Edhe sa kohë akoma do të rrimë pa bërë pyetje? Deri kur do të vazhdojnë të shkatërrohen shkollat tona? Sa dhunë akoma? Unë votoj sepse dua të jem pjesë e një ndryshimi. Dhe edhe nëse ai ndryshim nuk ndodh, unë dua të di që nuk kam kontribuar që gjithçka të mbetet ashtu siç është tani." - thotë Dorotea Vasic nga shoqata e nxënësve "Edhe ne i bëjmë pyetje vetes”.
Të rinjtë e kësaj shoqate besojnë se mosinteresimi i disa prej bashkëmoshatrëve është kryesisht për shkak të mungesës së informacionit. Kjo është arsyeja pse ata simuluan një ditë zgjedhjesh - dhe i bënë të tjerët kuriozë. "Askush nuk na mëson se si zhvillohen zgjedhjet në të vërtetë. Dhe ndoshta disa kanë frikë se aty mund të befasohen." - thotë Dorotea Vasic.
Diskutime vetëm sipërfaqësore
Në shkollat serbe procesi zgjedhor diskutohet vetëm sipërfaqësisht në lëndën Edukatë Qytetare. Përveç kësaj vetëm një e treta e nxënësve i ndjekin këto lëndë me zgjedhje. Lëndët e detyrueshme si sociologjia dhe njohuri për kushtetutën ofrohen vetëm në shkollat e mesme.
"Kjo sinjalizon se nxënësit e shkollave profesionale nuk konsiderohen fare si akademikë, por si fuqi punëtore që nuk ka nevojë për trajnime akademike. Gjë që sigurisht është shumë tragjike. Sepse të gjithë të rinjtë duhet të kenë një nivel minimal arsimimi në lëndët sociale në mënyrë që të jenë në gjendje të "bëhen qytetarë të përgjegjshëm në të ardhmen dhe të dinë se çfarë do të thotë demokraci dhe shtet ligjor" - thotë Ksenija Nikic nga shoqata "Nismat qytetare".
Më shumë votues të rinj
Bashkimi i Shoqatave Rinore Serbe po përpiqet përmes diskutimeve me politikanë të rinj t'i njohë votuesit për herë të parë me programet e partive. Ata janë optimistë, sepse sipas sondazheve të fundit 65 për qind e të rinjve duan të votojnë. 10 për qind më shumë se vitin e kaluar. Milica Borjanic nga Bashkimi i Shoqatave Rinore Serbe thotë se "të rinjtë e kanë kuptuar që duhet të përfshihen dhe të ndërmarrin veprime. Përndryshe krijojnë hapësirë për shpërdorim të pushtetit në të ardhmen. Të rinjtë janë të përfshirë më së shumti kur bëhet fjalë për nënshkrimin e peticioneve, për pjesëmarrje në anketa, protesta apo aktivitete të tjera të shoqërisë civile. Pse? Sepse ata nuk u besojnë partive dhe institucioneve politike."
Të rinjtë shpesh përshkruhen nga politikanët si "e ardhmja e vendit”. Në Serbi atyre u është premtuar vazhdimisht një jetë më e mirë. Por askush nuk e shpjegon konkretisht se çfarë do të thotë kjo dhe si duhet të përmirësohet jeta e tyre. Kjo pyetje mund të jetë vendimtare në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit.