Serbët vendosin kushte- KFOR dhe EULEX nuk i pranon
25 Tetor 2011Kryetarët e katër komunave paralele serbe në veri të Kosovës, thanë të martën në një konferencë të përbashkët për media, se mund të lejojnë lëvizjen e lirë të misionit EULEX në veri të Kosovës, nëse ai garanton se nuk do të bëjë transportin e doganierëve dhe policëve kosovarë në dy pikat kufitare me Serbinë Jarinje dhe Bërnjak, njoftojnë mediet lokale serbe. Këto njoftime, përfaqësuesit e serbëve të veriut i bënë pas vizitës së tyre në Beograd, ku u takuan me presidentin serb Boris Tadic dhe nuk u pajtuan që të heqin barrikadat nga rrugët e veriut, për sa kohë që organet ndërkombëtare të sigurisë transportojnë doganierët dhe policët kosovarë për në dy pikat kufitare me Serbinë.
Në lidhje me këto qëndrime, zyrtarë të misionit EULEX, i thanë të martën DW-së, se qëndrimi i këtij misioni nuk dallon nga qëndrimi i mëparshëm i forcave paqeruajtëse, që në veri të Kosovës duhet të rivendoset liria e lëvizjes, për të gjithë pa dallime. Kjo sipas zëdhënësit të misionit EULEX për veriun, Hans Kristian Klasing, duhet të ndodhë herët apo vonë. “Siç e kemi thënë edhe më parë prioritet ynë është, që liria e lëvizjes të rivendoset në veri të Kosovës dhe liria e lëvizjes është bazë për çdo rend dhe ligj. Kjo përfshirë veriun dhe gjithë Kosovën dhe ne dëshirojmë që të shohim që liria e lëvizjës të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur dhe shpresojmë që barrikadat të hiqen tërësisht nga veriu. Ky është një pozicion i përbashkët i EULEX-it dhe KFOR-it, në të nuk ka ndryshim”, tha Hans Kristian Klasing.
Ndërkohë, zyrtarë të forcave paqeruajtëse, thonë se kjo trupë nuk pranon asnjë kusht në lidhje me lirinë e lëvizjes në Kosovë. Uve Novicki, zëdhënës i KFOR-it tha: “Liria e lëvizjes duhet të arrihet për të gjitha palët, për organizatat ndërkombëtare, sikurse edhe për gjithë popullin e Kosovës. Liria e lëvizjes vetëm për KFOR-in, por jo për EULEX-in, nuk është e pranueshme”, tha sot zëdhënësi i KFOR-it Uve Novici.
Sipas tij, komandanti i KFOR-it Erhard Drews, u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, të shtunën e shkuar se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht për secilin dhe në çdo kohë. KFOR-i që nga nata e mbrëmshme konfirmon se rruga për në pikën kufitare 31, në Bërnjak, është e kalueshme për trafik, pasi serbët lokalë sipas KFOR-it, hoqën vetë një barrikadë dhe tash njerëzit mund të hyjnë dhe dalin nga Kosova për në Serbi. Mirëpo situatë e pandryshuar dhe rrugët vazhdojnë të jenë të mbyllura nga barrikadat e serbëve për në pikën kufitare një në Jarinje. Bllokada kryesore dhe më e madhja vazhdon të jetë në fshatin Zupc.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Aida Cama