1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shansi i fundit për liberalizimin e vizave

Bekim Shehu''
21 Shkurt 2018

Qeveria e Kosovës e procedoi për miratim në Kuvend, ligjin e demarkacionit me Malin e Zi, së bashku me marrëveshjen për përmirësime të mundshme të vijës kufitare.

https://p.dw.com/p/2t3DN
Kosovo 10 Jahre Unabhängigkeit
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka kërkuar që të enjten (22.02) të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, të plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe Malit të Zi Filip Vujanoviq. Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Vullneti për korrigjime

"Ekziston një vullnet i madh që kjo të ndodhë sa më shpejt. Për shkak të konsultimeve që janë ende në vazhdim, në mes të grupeve parlamentare, të deputetëve, propozoj që seanca të mbahet pasnesër, në orën 10. Edhe për këtë kemi bërë konsultime ndërinstitucionale. Shpresoj që do të jemi unik dhe do ta kemi një përkrahje, po e quaj maksimale për këtë vendim kaq të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës”, tha Ramush Haradinaj, i cili tash e tri vjet ishte me i zëshmi kundër demarkacionit me Malin e Zi.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thotë se kuvendi tashmë e ka pranuar nga qeveria e Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Ramush Haradinaj im DW-Interview
Fotografi: DW

"Kam ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për sot në orën 16:00, për të proceduar më tutje me këtë çështje. Ftoj të gjithë deputetët që të mendojnë për interesin e qytetarëve dhe ta përkrahin këtë Marrëveshje, e cila forcon sovranitetin e vendit dhe i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, u shpreh Kadri Veseli.

LDK pro marrëveshjes

Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, e mbështetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë, e cila thotë se "kundërshtimi i deritashëm i demarkacionit siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme”. "Mos ratifikimi i saj deri më tani, vendin tonë e mbajti të izoluar dhe larg perspektivës evropiane, ndërsa qytetarët tanë i la pa të drejtën elementare njerëzore - lirinë e lëvizjes. LDK si partia kryesore në vend dhe me grupin më të madh parlamentar e përcaktues në këtë proces, me votën në Kuvendin e Kosovës, do të hapë dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Në këtë moment të rëndësishëm, LDK kërkon nga shumica parlamentare që ta dëshmojë mbështetjen për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, thuhet në kumtesën e kësaj partie.

Marrëveshjen e demarkacionit e mbështetë edhe Nisma për Kosovën, por jo edhe lëvizja Vetëvendosje. Sipas deputetit të Vetëvendosjes Ali Lajçi, "aneks-marrëveshja që iu bashkua ligjit për demarkacion, është vetëm një deklaratë politike dhe nuk e obligon Malin e Zi ta votojë në Parlamentin e tyre. Në këto kushte është çështje e pabesueshme dhe nuk e garanton vijën e drejt kufitare”, thotë Ali Lajçi.

Avdullah Hoti, Politiker Kosovo
Fotografi: DW/Bahri Cani

"Srpska” abstenon?

Lista "Srpska”, që përfaqësohet me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila e procedoi në Kuvend ligjin për demarkacionin, abstenoi kur u votua ligji. Ndërsa tash për tash akoma nuk ka një qëndrim të prerë sesi do të votojë në Parlament. Një ditë më parë, njëri nga deputetët e listës Srpska Igor Simiq, ka thënë se "për deputetët serbë më e rëndësishme është që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, sesa ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, i cili është i rëndësishëm për shqiptarët, por jo për serbët”.

Thirrje deputetëve të pakicave dhe të gjithë deputetëve tjerë që ta votojnë demarkacionin, u ka bërë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. Sipas tij, ratifikimi i demarkacionit do të ishte pozitiv për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

"Kalimi i marrëveshjes për demarkacionin është thelbësor për të siguruar mundësinë e qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Gjithkush mund të pajtohet për këtë. Unë shpresoj se deputetët nga çdo parti do të votojnë me PO”, ka shkruar Greg Delawie në twitter.

Shansi i fundit

Edhe shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalya Apostolova, pret ratifikim të demarkacionit. "Po presim që suksesshëm dhe shpejt të ratifikohet marrëveshja e diskutuar gjatë në demarkimin me Malin e Zi që do t'i sjellë qytetarëve të Kosovës të gëzojnë mundësitë për lëvizje të lirë”, shprehet shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa i ka Parlamenti i Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi  është kusht për Kosovën në mënyrë që Komisioni Evropian t'ia heqë regjimin e vizave. Kosova është vendi i vetëm në Evropë që akoma ka regjim vizash për lëvizje në zonën Shengen. Njohës të çështjeve politike dhe integrimeve evropiane, thonë se Kosova tash e ka shansin e fundit që ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi dhe të përfitojë liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Në të kundërtën, vitin e ardhshëm në BE do të ketë zgjedhje për Parlamentin Evropian, ku mund të forcohet e djathta evropiane, e cila në shumë raste ka kundërshtuar madje edhe pavarësinë e Kosovës.