1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shante të huajt në Facebook: e dënojnë me burg

17 Tetor 2016

Një gjykatë në Würzburg ka dënuar një person sepse kishte shkruar komente me urrejtje kundër hebrenjve dhe migrantëve. Dënimi vjen pas thirrjeve të politikanëve gjermanë për të kundërshtuar propagandën e urrejtjes.

https://p.dw.com/p/2RLtP
Symbolbild Facebook Hass-Kommentare
Fotografi: picture-alliance/chromorange/R. Peters

Gjykatësit në Würzburg në jug të Gjermanisë e dënuan përdoruesin e Facebookut me një vit e gjysmë burgim, sepse kishte shkruar aty komente ultra të djathta. Vitin e kaluar, një gjykatë tjetër lokale e kishte dënuar të njëjtin person mashkull me dy vjet e tri muaj burgim. Kjo pasi në vitin 2014 ai kishte publikuar slogane, që bënin thirrje për dhunë dhe vrasjen e hebrenjve, të huajve dhe refugjatëve

Të hënën, gjykatësit regjistruan se personi shprehu keqardhje që i kishte shkruar komentet. Megjithatë, ata e justifikuan dënimin, duke thënë se personi kishte një histori të gjatë fyerjesh dhe se shprehjet e urrejtjes janë shtuar në Gjermani

Shumë politikanë në Gjermani janë ankuar për rritjen e komenteve ksenofobike vitet e fundit, një fenomen që ka përkuar me ardhjen e qindra mijëra refugjatëve në vend.

Në shtator 2015, qeveria gjermane u kërkoi kompanive të internetit si Google, Twitter dhe Facebook që të largojnë shprehjet e urrejtjes nga faqet e tyre brenda 24 orësh pas raportimit. Por shumë përdorues thanë se kërkesat e tyre për t'i hequr përmbajtjet fyese, shpesh nuk marrin përgjigje.

Javën e kaluar, politikani gjerman, Volker Kauder propozoi një dënim me 50.000 euro për çdo koment fyes që kompanitë mediatike nuk e largojnë nga faqet e tyre.

Qeveria gjermane ndërkohë ka planifikuar të zbatojë një sistem kompensimesh për viktimat e urrejtjes në internet. Në shtator, Zyra Federale e Policisë Kriminale nisi kërkime në të gjithë vendin për të kapur ata që përhapin urrejtje në mediat sociale.