SHBA dhe Rusia dakord për rezolutën e Sirisë
27 Shtator 2013SHBA dhe Rusia kanë arritur një kthesë diplomatike në përpjekjet për një rezolutë për shkatërrimin e arsenalit me armë kimike të Sirisë. Ministri i Jashtëm amerikan John Kerry dhe homologu i tij rus Sergej Lavrov, e bënë të ditur marrëveshjen në kuadër të debatit në Asamblenë e OKB-së në Nju Jork. Teksti iu paraqit që të enjten në mbrëmje (26.9.) Këshillit të Sigurimit. Siç u bë e ditur më tej, votimi për rezolutën mund të mbahet të premten në mbrëmje (27.9.) sipas orës lokale. Ky është afati më i shkurtër i mundshëm pasi duhet marrë edhe miratimi nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), bënë të ditur përfaqësues të OKB-së, pas një takimi të posaçëm të Këshillit të Sigurimit.
Teksti i rezolutës është në harmoni me planin e hartuar në Gjenevë për vënien nën kontroll dhe shkatërrimin e armëve kimike siriane, tha Lavrov. Përfaqësuesit e pesë fuqive me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, Franca, Britania e Madhe, SHBA, Rusia dhe Kina, prej më shumë se një javë po negociojnë për një rezolutë të re për Sirinë, e cila duhet të rregullojë vënien nën kontroll dhe shkatërrimin e armëve kimike të vendit të përfshirë nga lufta civile.
Westerwelle: plan i saktë kohor ditët e ardhshme
Çështja më e kontestuar ka qenë vazhdimisht futja në rezolutë e kërcënimit me masa ndëshkuese sipas kapitullit VII të Kartës së OKB-së. Fuqitë perëndimore me të drejtë vetoje, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA duan ta kërcënojnë me masa ndëshkimore regjimin e Bashar al Asadit, nëse do të bënte rrezistencë për shkatërrimin e armëve kimike. Rusia dhe Kina e kanë kundërshtuar këtë vazhdimisht.
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e përshëndeti marrëveshjen ruso-amerikane. Tani për regjimin e Asadit, mund të ketë brenda ditëve të ardhshme "një plan të saktë kohor për asgjesimin e arsenalit me armë kimike", tha Westerwelle. "Do të ishte mirë nëse ky hap në drejtimin e duhur do të shoqërohej me një përpjekje të re për një zgjidhje politike dhe një konferencë me pjesëmarrjen e palëve në konflikt", tha ministri Westerwelle.