SHBA i lejon Ukrainës përdorimin e armëve me rreze të gjatë
18 Nëntor 2024Ndërrim i qartë kursi nga SHBA: Ukraina kërkon prej muajsh që të përdorë armët perëndimore kundër objektivave thellë brenda Rusisë, për t'u mbrojtur më mirë kundër sulmeve ruse. Deri tani presidenti amerikan, Joe Biden e kishte refuzuar këtë. Ai kishte argumentuar, se SHBA dhe vende të tjera të NATO-s me këtë mund të përfshiheshin në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Arsyeja e ndryshimit të qëndrimit të Bidenit duket se është përforcimi që bëri Rusia me ardhjen e mijëra ushtarëve nga Koreja e Veriut për të luftuar krah Rusisë. Kështu raportojnë njëzëri New York Times dhe media të tjera amerikane.
Fillimisht, sipas mediave amerikane, bëhet fjalë për përdorimin e raketave ATACMS në rajonin Kursk të Rusisë. Ukraina pushtoi befasisht territorin rus pranë kufirit në gusht dhe duket se aty po përvijohet një kundërofensivë ruse me ndihmën e trupave të Koresë së Veriut. Dihet, se Presidenti Biden do të qëndrojë në detyrë vetëm deri më 20 janar. Pra, atij i mbetet pak kohë për të vënë vulën e tij të fundit në politikën e Ukrainës.
Presidenti Putin kishte kërcënuar që më parë me pasoja serioze, nëse Ukraina do të lejohej të përdorte në territorin rus armët perëndimore me rreze të gjatë. Sipas Putin ky është konfrontim direkt me Rusinë dhe se Ministria e Mbrojtjes punon për disa skenarë kundërpërgjigjeje, tha ai në shtator. Pas lajmit për lejimin e armëve me rreze të gjatë, deputete rusë paralajmërojnë nga një rrezik i luftës së tretë botërore. Qeveria e presidentit Biden rrezikon luftën e tretë botërore me përdorimin e armëve amerikane thellë në territorin rus, tha deputetja ruse Maria Butina, sipas Reuters. Administrata e Bidenit e shkallëzon gjendjen sa kohë që është ende në pushtet, u shpreh Butina.
Ish-komandanti i NATO-s: Hap i vonuar
Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s në Evropë, i tha CNN se hapi që ndërmori Biden do të thotë "shumë pak" ushtarakisht për Ukrainën dhe erdhi "shumë vonë". Megjithatë ai mund të ndihmojë Ukrainën në negociata. Nëse Ukraina mund të mbajë rajonin rus të Kurskut me ndihmën e SHBA-së, ai do të jetë në negociata një kundërpeshë ndaj zonave të pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore, sipas Clark.
Nuk dihet, nëse pasardhësi i Joe Biden, Donald Trump do të mbështesë ndryshimin e kursit të SHBA-së në favor të Ukrainës. Ish-këshilltari i Trumpit për sigurinë, John Bolton, pret të kundërtën. "Kanë mbetur vetëm dy muaj derisa Donald Trump të vijë në detyrë”, tha Bolton në CNN. "Nuk ka dyshim se çfarë do të ndodhë: ndihma për Ukrainën ka shumë të ngjarë të ulet." Ka spekulime, se Trump mund të jetë mbështetës i një përpjekjeje të fundit ushtarake të Ukrainës, para se të nxisë Kievin dhe Moskën për bisedime. Deri më tani, Trump ka bërë të ditur vetëm, se dëshiron të detyrojë Ukrainën dhe Rusinë të ulen në tryezën e negociatave sa më shpejt që të jetë e mundur për t'i dhënë fund luftës.
Debat në Europë
E sigurt është, se ndryshimi i kursit të Biden do të rifillojë debatin edhe në vendet e tjera të NATO-s, sidomos në Europë. Mund të ndodhë që si Britania e Madhe edhe Franca do të lejojnë gjithashtu Ukrainën të përdorë armë kundër objektivave në Rusi. Me vendimin e Joe Biden pritet që të rihapet edhe në Gjermani debati për dërgimin dhe përdorimin e raketave me rreze të gjatë "Taurus".
Marrë nga tagesschau